Bujar Leskaj dënon sjelljen e Ramës me nxënësin fierak: Bullist adoleshentësh, linçoi live, imagjino si sillet pa kamera

by admin
Spread the love

Deputeti i PD-së për qarkun Vlorë, Bujar Leskaj, dënoi sjelljen e Kryeministrit Rama ndaj një nxnënësi në Fier, katër ditë më parë, duke e cilësuar atë linçim.

Leksaj iu referua takimit të Kryeministrit me nxënësit fierakë, kur në një moment ftoi pranë vetes një nxënës që po qeshte dhe që sipas Leskajt, e ka bullizuar sepse nuk ishte mirë me mësime.

Reagimi i Bujar Leskajt:

Këto ditë, qytetarët shqiptarë u detyruan të ishin dëshmitarë të një tjetër shfaqjeje të shëmtuar të Liderit Global. Një video e kryeministrit në Fier u bë virale në rrjet. Sugjerohet për të qeshur, por, kur përfundon, të bën të ndihesh i fyer dhe i poshtëruar në dinjitetin njerëzor. Lideri i madh është duke folur përpara të rinjve në Fier. Një adoleshent, ndërsa duartroket për hir të drejtuesve të shkollës që e kanë sjellë aty, qesh për të nxjerrë turpin e një veprimi nga zori.

Rama, nën paranojën që i është rritur nga sondazhet e fundit negative për të, vendos ta damkosë adoleshentin, që po e tregon hapur se ndodhet aty kundër dëshirës së tij dhe nuk ka asnjë interes të dëgjojë diskuret e liderit. Ndërpret fjalën dhe e thërret t’i shkojë afër. Djali heziton, turpërohet. Kërkon të mos identifikohet, por regjia e kryeministrisë, që paguhet nga taksat e prindërve të tij, e indentifikon dhe e fokuson pa mëshirë, pavarësisht se është thjesht një i mitur, i urdhëruar për të qenë aty. Dy punonjës të kryeministrisë i shkojnë afër për ta bindur ose urdhëruar, ndërsa Rama vazhdon ta thërrasë me ton urdhërues, për ta ekspozuar në “krimin” e tij të indiferencës dhe mosdëgjimit të sihariqeve të liderit.

Adoleshenti, nën presionin e kamerave nga të gjitha anët, kupton që nuk mund të shpëtojë dhe çohet drejt gijotinës morale, që njeriu që duhet t’i shërbejë ka përgatitur për të. Përballë gjithë gjimnazistëve të Fierit, të sjellë forcërisht aty, pa dëshirën e tyre, Kur më në fund e ka pranë, Rama nis investigimin, si një prokuror që ka kapur një shkelës ligji. Qëllimi ishte që adoleshenti që shprehu indiferencë ndaj diskureve të tij, të dalë si nxënës që nuk mëson. Pas insistimit të gjatë, ia doli. Djali ishte poshtë mesatares me nota.

Kryeministri ose kryetari i gjykatës morale të stisur nga fantazia e tij e sëmurë, e përcjell me një paralajmërim frikësues. Djali largohet dhe nuk di ku të shohë, derisa ulja në vend i duket si strukje në një vend të fshehtë. Nuk dëgjon çfarë i thonë bashkëmoshatarët, mundohet të fshehë fytyrën e skuqur, kupton që tashmë është bulizuar. Dhe ky bulizim nuk ka ndodhur në shkollën e tij, por përpara ekraneve dhe syve të të gjithëve, nga njeriu që paguhet për t’i shërbyer. Urojmë që ky bullizim të mos i lërë shenjë në jetën e tij, pse bashkëqytetarët e tij do ia tregojnë shumë shpejt Liderit Global se nuk i ka ngelur shumë kohë të lërë shenja të tjera negative në ekonominë, psikologjinë dhe shoqërinë e shqiptarëve.

Linçimi live që Rama i bën një adoleshenti në publik, me gjakftohtësi dhe ndërgjegje të plotë, është demonstrimi i sjelljes së një autokrati ikanak, ndaj një të mituri të pambrojtur. Kur është i tillë përpara kamerave, përpara syve të publikut, imagjinohet lehtë si sillet Lideri Global pa kamera dhe pa dëshmitarë.
Shikoni momentin në video nga minuta 24.06 sekonda”, shkruan Leskaj./Tpz

You may also like