BRUKSEL – Suedia merr presidencën e radhës të BE-së

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 1 janar /ATSH/ – Suedia merr sot zyrtarisht presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Para pak ditësh kryeministri suedez, Ulf Kristersson prezantoi prioritetet e Suedisë për presidencën e Këshillit të BE para ligjvënësve të Riksdag, pasi shqetësimet se demokratët suedezë të ekstremit të djathtë mund të ndikojnë në presidencën për çështje kyçe si ndryshimi i klimës, vazhdojnë të rriten, sipas euractiv.com.

Suedia do të marrë përsipër presidencën gjashtëmujore të radhës të Këshillit të BE-së, që do të thotë se ministrat suedezë do të udhëheqin negociatat në Këshill dhe do të përpiqen të gjejnë kompromise me Parlamentin e BE-së.

“Suedia po merr presidencën në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballet me sfida të paprecedentë. Një Evropë më e gjelbër, më e sigurt dhe më e lirë është themeli i prioriteteve tona”, tha Kristersson.

Para ligjvënësve, Kristersson prezantoi prioritetet e presidencës së BE-së, të cilat janë përqendrimi në sigurinë, konkurrencën, tranzicionin e gjelbër, vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit – duke pasqyruar ato të nxjerra në fillim të këtij viti nga qeveria e mëparshme socialdemokrate.

Në fund të nëntorit, Kristersson siguroi se qeveria e tij ishte pro evropiane, gjatë një konference për shtyp me Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola në Bruksel.

“Ne jemi një qeveri pro evropiane. Ne jemi gjithashtu një qeveri pro tregut, një qeveri pro NATO-s, një qeveri pro transatlantike”, tha ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like