BRUKSEL – Stoltenberg: Strategjia ruse e sulmeve raketore në Ukrainë do të dështojë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 16 dhjetor /ATSH-DPA/- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi fuqishëm sulmet e fundit raketore ruse në Ukrainë.

“Përpjekjet për të privuar popullin ukrainas nga uji, energjia elektrike dhe ngrohja janë një sulm i qëllimshëm ndaj civilëve”, tha Stoltenberg.

Kremlini ka bombarduar infrastrukturën energjetike të Ukrainës për muaj me rradhë.

Hartat paralajmëruese treguan se alarmet ajrore u sinjalizuan në disa pjesë të Ukrainës të premten, pasi Rusia nisi një valë të madhe sulmesh raketore në të gjithë vendin.

Raportime ka pasur edhe për shpërthime në Kiev. Thuhet se mbrojtja ajrore u përdor për t’iu kundërvënë sulmeve.

Rajone të shumta raportuan zjarrin me raketa, si Zaporizhia, Mykolaiv, Vinnytsia, Poltava, Dniprotepetrovsk dhe Kharkiv.

“Strategjia e Putinit për të nënshtruar Ukrainën do të dështojë”, tha Stoltenberg.

“Historia, në fakt, na ka mësuar se ky lloj sulmi brutal kundër civilëve nuk e dobëson vullnetin për të rezistuar, por përkundrazi vetëm e forcon vendosmërinë për të luftuar”, tha ai.

Stoltenberg beson gjithashtu se Putini bëri një gabim të madh duke nënvlerësuar vendosmërinë e vendeve të NATO-s për të mbështetur Ukrainën.

“Aleatët e NATO-s po ofrojnë mbështetje për Ukrainën në një nivel të paprecedentë dhe e kemi bërë të qartë se do ta mbështesim atë, për aq kohë sa do të duhet”, shtoi Stoltenberg. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like