BRUKSEL- Stoltenberg propozon dislokimin e përhershëm të aleancës në Evropën Lindore

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 16 mars/ATSH-DPA/- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka propozuar forcimin e përhershëm të pranisë së aleancës në Evropën Lindore, në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës, i cili do ta vendosë bllokun në një rrugë që ka të ngjarë të shkelë marrëveshjet e sigurisë me Rusinë, thanë sot disa prej diplomatëve.

“Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për t’u siguruar që të mos ketë vend për keqkuptime në Moskë… në lidhje me gatishmërinë tonë për të mbrojtur… çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

“Për të siguruar që në një realitet të ri sigurie, ne duhet të riaktivizojmë mbrojtjen tonë”, tha ai pas një takimi të posaçëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Diplomatët nuk dhanë detaje të mëtejshme lidhur me propozimin, por theksuan se Rusia nuk mund të presë që NATO të përmbushë marrëveshjet e mëparshme, pasi pushtimi i Ukrainës kishte ndryshuar plotësisht situatën e sigurisë në Evropë.

Akti Themelues NATO-Rusi, i rënë dakord nga të dyja palët, angazhon NATO-n të përmbahet nga vendosja e përhershme e “forcave të konsiderueshme luftarake” në territoret lindore të aleancës, ndër të tjera.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një zotim nga ana e NATO-s për të mos vendosur armë bërthamore në territoret e anëtarëve të rinj të aleancës. Diplomatët thanë se kjo nuk do të ndryshojë për momentin.

Komandantët ushtarakë të NATO-s do të japin këshilla lidhur me planet në javët e ardhshme ndërsa një vendim pritet të merret nga udhëheqësit e NATO-s në samitin e ardhshëm në qershor”, tha Stoltenberg. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like