BRUKSEL – Martin: Mos lejoni që Izraeli të sulmojë Rafahun

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i bërë presion qeverisë izraelite të mos sulmojë Rafahun në Rripin jugor të Gazës, tha sot në Bruksel ministri i Jashtëm irlandez, Micheal Martin.

“Niveli i çnjerëzimit që po ndodh tani brenda Gazës ka tronditur botën”, tha Martin duke iu referuar ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit për të mposhtur Hamasin në përgjigje të sulmit terrorist të 7 tetorit.

Qeveria izraelite është duke u përgatitur për një ofensivë tokësore në shkallë të plotë në Rafah, qyteti më jugor në Gaza pranë kufirit me Egjiptin, pavarësisht frikës ndërkombëtare se kjo do të çojë në viktima masive civile.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se ai e ka paralajmëruar Izraelin se vendi rrezikon të humbasë mbështetjen e fundit që ka në botë nëse ata sulmojnë.

Martin i kërkoi Hamasit të lirojë pengjet izraelitë të marrë në sulmin e 7 tetorit dhe të dorëzojë armët e tyre.

Ai bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim humanitar gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel.

Ministri i Jashtëm irlandez, bëri thirrje gjithashtu për sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se tensionet po rriteshin në Bregun Perëndimor dhe se veprimet e dhunshme të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve duhet të adresohen nga qeveria izraelite.

Hungaria, e konsideruar si dashamirës ndaj qeverisë izraelite, bllokoi sanksionet e reja të BE-së, si dhe një tjetër deklaratë të përbashkët që i bën thirrje Izraelit të mos sulmojë Rafahun.

“Ne nuk kemi asnjë fuqi për të ndaluar Izraelin të sulmojë Rafah, pasi blloku është i kufizuar në mjetet politike dhe diplomatike”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like