BRUKSEL – Borrell: Izraeli të mos kryejë veprime ushtarake në Rafah

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 18 shkurt /ATSH-AA/ – Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj Izraelit që të mos kryejë një sulm ushtarak ndaj palestinezëve në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

“BE-ja i kërkon Izraelit të mos ndërmarrë veprime ushtarake në Rafah që do të përkeqësonte një situatë tashmë katastrofike humanitare”, shkroi Borrell në platformën sociale X, duke ndarë në postim edhe deklaratat e tij të mëparshme.

Borrell theksoi se të gjithë civilët duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje që Izraeli të respektojë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të lëshuar muajin e kaluar.

“Ne përsëri i bëjmë thirrje Hamasit për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”, tha Borrell.

Rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur më parë nga ofensiva e Izraelit në Gaza janë strehuar në qytetin Rafah në jug të enklavës, duke kërkuar strehim nga armiqësitë që kanë shkatërruar një pjesë të gjerë të territorit palestinez.

Planet e raportuara të Izraelit për një ofensivë në qytet kanë ngritur shqetësime dhe alarm ndërkombëtar, me shumë vende që kërkojnë vetëpërmbajtje ose anulim të plotë.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, kur sipas Tel Avivit, u vranë rreth 1.200 njerëz, ndërsa ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë mbi 28.600 palestinezë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like