BRUKSEL – Borrell: Dënojmë dhunën e ripërtërirë Armeni-Azerbajxhan

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dënoi sot përgjigjen “disproporcionale” të Azerbajxhanit ndaj të shtënave të supozuara të forcave armene një ditë më parë.

“Të shtënat e forcave armene ndaj ushtarit azerbajxhanas dje ishte për të ardhur keq, por përgjigja e Azerbajxhanit sot duket të jetë disproporcionale”, tha Borrell.

Deklarata e Borrell erdhi gjatë një konference për shtyp në Bruksel me ministrin e Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan në kuadër të takimit të pestë të Këshillit të Partneritetit BE-Armeni, i organizuar për herë të parë në 2018.

“Takimi mbuloi “spektrin e plotë” të marrëdhënieve BE-Armeni”, tha Borrell.

“Ne diskutuam situatën rajonale dhe procesin e normalizimit Armeni-Azerbajxhan, duke përfshirë fatkeqësisht incidentin e fundit në kufi”, shtoi ai.

Trupat armene dhe azerbajxhanas shkëmbyen zjarr të hënën dhe të martën në përleshjen e fundit të një konflikti të gjatë në rajonin e Nagorni-Karabahut.

Të martën, Komisioni Evropian njoftoi se do të ofrojë një ndihmë të re humanitare me vlerë 5,5 milionë euro për të mbështetur armenët e zhvendosur nga Nagorni-Karabahu.

Delegacionet e BE-së dhe Armenisë diskutuan gjithashtu potencialin për një “dialog” mbi liberalizimin e regjimit të vizave midis BE-së dhe Armenisë, reformat politike dhe të drejtat e njeriut, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Këshilli i Partneritetit BE-Armeni është produkt i një marrëveshjeje të nënshkruar në 2017 për të thelluar bashkëpunimin në një gamë të gjerë çështjesh si siguria, kontrolli i armëve, të drejtat e njeriut, mjedisi, energjia, migrimi dhe lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe trafikut të drogës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like