BRUKSEL – BE samit për luftën në Ukrainë dhe migrimin

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel, ku pritet t’u bashkohet edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe migrimin.

Pasi iu drejtua në mënyrë të përsëritur samiteve të BE-së me video përgjatë këtyre muajve të fundit, vizita e Zelenskyt do të jetë udhëtimi i tij i parë në kryeqytetin belg që nga fillimi i pushtimit të Rusisë, ku ai mund të kërkojë më shumë dhe më shpejt armë, mbështetjen për ofertën e Ukrainës për anëtarësim në BE dhe planin e tij të paqes.

Zelensky gjithashtu pritet të vizitojë sot edhe Parlamentin Evropian.

Samiti i BE-së do të diskutojë edhe çështjen e migrimit të parregullt në bllok.

Në vitin 2022, autoritetet regjistruan një rritje prej 64% në kalimet e parregullta kufitare në krahasim me vitin e kaluar, sipas agjencisë së menaxhimit të kufijve të BE-së Frontex.

Kërkesat për azil u rritën me gati 50%.

Për më tepër, rreth katër milionë persona kanë ikur në BE nga Ukraina.

Kancelari austriak Karl Nehammer tha se është gati të bllokojë deklaratën e samitit nëse nuk arrihen marrëveshje konkrete për trajtimin e migracionit të parregullt.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu gjendjen e ekonomisë së bllokut dhe mënyrën e përmirësimit të konkurrencës së industrisë evropiane si dhe zhvillimet politike në Serbi dhe Kosovë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like