BRUKSEL – BE: Izraeli t’i bindet vendimit të GJND-së

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 26 janar /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian i ka kërkuar Izraelit t’i bindet vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili paralajmëron shtetin hebre se rrezikon të kryejë gjenocid në Rripin e Gazës nëse nuk merren masa.

“BE rikonfirmon mbështetjen e saj të vazhdueshme për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të komisionit.

“Urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të detyrueshme për palët dhe ato duhet të zbatohen. BE pret zbatimin e tyre të plotë, të menjëhershëm dhe efektiv”, thuhet në deklaratë.

Izraeli ka qenë në luftë me grupin islamik palestinez Hamas që nga 7 tetori, kur terroristët e Hamasit dhe grupet e tjera pushtuan Izraelin dhe vranë mbi 1 200 persona.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi tha se mbi 26 000 persona kanë vdekur.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha gjithashtu se Izraeli duhet të marrë në konsideratë vendimin.

“Gjykata gjithashtu e ka bërë të qartë se veprimet e Izraelit në Gaza janë rezultat i sulmeve barbare terroriste të 7 tetorit dhe se Hamasi është gjithashtu i detyruar nga ligji ndërkombëtar humanitar të lirojë përfundimisht të gjithë pengjet”, tha Baerbock

“Ne do ta mbështesim këtë me të gjitha forcat tona, si dhe urdhrin që Izraeli të lejojë urgjentisht më shumë ndihma humanitare në Gaza”, shtoi ajo në një deklaratë.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like