LONDËR, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Ftesat për funeralin shtetëror të mbretëreshës Elisabeth II nuk janë dërguar në Rusi, Bjellorusi dhe Mianmar, ndërsa Irani do të përfaqësohet nga ambasadori i vendit, sipas Whitehall.
Në ngjarje do të marrin pjesë rreth 500 personalitete nga e gjithë bota për t’i bërë nderimet e tyre të fundit monarkes që mbretëroi për një kohë të gjatë.
Ata do të bashkohen me anëtarët e familjes mbretërore dhe ish-kryeministri dhe kryeministrja aktuale e Britanisë së Madhe në Westminster Abbey, në kishën historike që mund të mbajë rreth 2 000 persona, në orën 11:00, të hënën e ardhshme.
“Kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare që kemi organizuar në dekada”, sipas një burimi në Whitehall.
Ajo paraqet një sfidë të madhe logjistike dhe diplomatike.
Ftesat iu dërguan gjatë fundjavës krerëve të shteteve me të cilët Britania e Madhe ka marrëdhënie diplomatike. Ftesa i drejtohet kreut të shtetit plus një mysafir.
Liderët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Mianmarit nuk kanë marrë ftesë. Presidenti amerikan, Joe Biden ishte ndër të parët që deklaroi se do të udhëtonte me bashkëshorten e tij, Jill Biden.
Gjithashtu pritet të marrin pjesë, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern edhe homologët e saj kanadezë dhe australianë, Justin Trudeau dhe Anthony Albanese.
Albanese njoftoi se nuk do të udhëtonte vetëm. Ai dhe guvernatori i përgjithshëm, David Hurley do të shoqërohen nga 10 shtetas australianë që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për komunitetet e tyre.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, presidenti Italian Sergio Mattarella, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti brazilian, Jair Bolsonaro së bashku me presidenten e BE-së Ursula von der Leyen do të jenë gjithashtu pjesëmarrës në ngjarje.
Mbreti Felipe i Spanjës dhe gruaja e tij, mbretëresha Letizia, janë ndër anëtarët mbretërorë evropianë që do të marrin pjesë.
Perandori Naruhito i Japonisë gjithashtu pritet të udhëtojë në Londër, udhëtimi i tij i parë jashtë shtetit që nga marrja e fronit në vitin 2019./ /a.i/