BM- Johnson fjalim lamtumire: Do të mbështes Truss dhe qeverinë e re në çdo hap

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

LONDER, 6 shtator /ATSH-AA/ – Kryeministri britanik Boris Johnson mbajti një fjalim lamtumire para rezidencës dhe zyrës në Downing Street nr.10, para se të nisej për në Skoci, ku do t’i dorëzojë dorëheqjen Mbretëreshës.

“Kjo është kjo, njerëz”, tha Johnson ndërsa po largohej nga Downing Street.

Johnson paraljmëroi se do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në politikën britanike, kurse në fjalimin e tij të lamtumirës shfrytëzoi rastin për të shprehur mbështetjen e tij për kryeministren e re Liz Truss.

“Unë do të mbështes Liz Truss dhe qeverinë e re në çdo hap të rrugës”, tha ai.

Duke folur për punën e qeverisë së tij, Johnson e përshëndeti ekipin e tij si “një grup fantastik nëpunësish publikë, të cilët zbatuan Brexit-in dhe me shpejtësi shpërndanë vaksinat në Evropë”.

“Së bashku, kemi hedhur themelet që do t’i rezistojnë kohës, qoftë duke marrë përsëri kontrollin e ligjeve tona apo duke vendosur infrastrukturë të re jetike, mure të mëdha të forta mbi të cilat do të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku, duke hapur rrugën e prosperitetit tani dhe për brezat që do të vijnë”, tha Johnson.

Duke fajësuar “luftën e egër” të Rusisë kundër Ukrainës për problemet energjetike që rrënojnë Evropën, Johnson tha se Britania e Madhe ka “fuqinë ekonomike që t’ju japë njerëzve paratë që u nevojiten për të kapërcyer këtë krizë energjetike”.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin “mashtrohet plotësisht” nëse mendon se mund të t’ia dalë me “shantazhim dhe provokim” të publikut britanik duke kufizuar furnizimet me gaz dhe duke rritur çmimet botërore.

“E di se Liz Truss dhe kjo qeveri e dhembshur konservatore do të bëjnë gjithçka që munden për t’i nxjerrë njerëzit nga kjo krizë, dhe ky vend do të përballojë këtë dhe ne do të fitojmë”, shtoi ai.

Liz Truss do të zëvendësojë Boris Johnson-in si kryeministëre sot, pasi Mbretëresha Elizabeth kërkoi nga ajo formimin e një qeverie të re për të trajtuar krizën energjetike dhe ekonomike.

“Kjo është një kohë e vështirë për familjet në të gjithë vendin. Ne mund dhe do ta kalojmë këtë, do të dalim më të fortë nga kjo. Por unë u them kolegëve të mi konservatorë se koha është t’i japim fund politikës. Koha është që ne të gjithë të qëndrojmë me Liz Truss, ekipin e saj dhe programin e saj dhe të japim rezultate për njerëzit e këtij vendi”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like