Blinken mund t’i telefonojë ose takojë personalisht Kurtin dhe Vuçiqin (VIDEO)

by admin
Spread the love

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mund të telefonojë ose të takojë personalisht kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili nuk e mohoi mundësinë e përfshirjes direkte të Sekretarit Blinken kur u pyet nëse ky i fundit mund t’i telefonojë ose t’i takojë në Washington Kurtin dhe Vuçiqin para datës 1 shtator.

“Nëse mendojmë se angazhimi i sekretarit [Antony Blinken] nëpërmjet telefonit ose personalisht është i domosdoshëm për të arritur diçka në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, ka thënë ai për “The Pavlovic Today”, transmeton Klankosova.tv.

Price tha se ShBA-ja po e vëzhgon dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja derisa inkurajon Kosovën dhe Serbinë që ta përdorin këtë mundësi në mënyrë efektive.

“Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, mirëkuptimi ynë është se bisedimet janë në vazhdim. Ne jemi duke vëzhguar. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive”.

“Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi për të çuar përpara diskutimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar edhe në njohjen reciproke gjithashtu”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka thënë se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd pikërisht për të treguar mbështetjen e ShBA-së për dialogun.

“[Gabriel] Escobar do të udhëtojë në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur dialogun, për të vazhduar të tregojmë interesimin dhe angazhimin tonë të nivelit të lartë për këtë çështje. Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”.

 

 

You may also like