BJELLORUSI – Fillojnë zgjedhjet parlamentare, të konsideruara të manipuluara

by admin
Spread the love

MINSK, 25 shkurt /ATSH-DPA/ – Për herë të parë që nga zgjedhjet e vështira presidenciale, në verën e vitit 2020 dhe protestat masive që pasuan, Bjellorusia e udhëhequr nga drejtues autoritarë po zhvillon sot zgjedhjet parlamentare.

Përveç 110 anëtarëve të parlamentit kombëtar, do të zgjidhen rreth 12 000 përfaqësues të asambleve lokale.

Zgjedhjet konsiderohen të manipuluara, pasi zyrtarët që rrethojnë sundimtarin afatgjatë Alexander Lukashenko nuk ftuan vëzhgues të pavarur të zgjedhjeve.

Sipas vëzhguesve, 69-vjeçari Lukashenko kryesisht dëshiron të përdorë votën për të treguar se është në kontroll të plotë të vendit, pas protestave tre vjet e gjysmë më parë.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svetlana Tichanovskaya, e cila iku jashtë vendit, theksoi të enjten se zgjedhjet nuk kishin të bënin me demokracinë.

“Janë një farsë, një shfaqje, një cirk, por nuk janë zgjedhje”, pohoi Tichanovskaya.

Ajo iu referua edhe shumë të burgosurve politikë në Bjellorusi.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se numri është më shumë se 1 400.

Në gusht 2020, Lukashenko, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 1994, u shpall përsëri fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë, opozita e pa Tikhanovskaya si fituesin e vërtetë.

BE gjithashtu nuk e njeh më Lukashenkon si kreun e shtetit.

Në javët pas zgjedhjeve pati protesta masive, të cilat u shtypën brutalisht nga aparati i pushtetit.

Më shumë se 35 000 njerëz u arrestuan në atë kohë.

Lukashenko konsiderohet të jetë plotësisht i varur nga Rusia dhe lideri i Kremlinit, Vladimir Putin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like