Biden: Kurrë s’do të largohemi nga Lindja e Mesme: – Shqip

by admin
Spread the love

Presidenti i SHBA-së Joe Biden foli në “Samitin për Sigurinë dhe Zhvillimin” që u mbajt në qytetin e Jeddah të Arabisë Saudite, me pjesëmarrjen e liderëve të nëntë vendeve arabe, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke aluduar për Rusinë, Kinën dhe Iranin, Biden tha se disa duan të kërcënojnë rendin global.

“Ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të minuar rendin në botë dhe në Lindjen e Mesme,” tha Biden dhe shtoi:

“Kina ka rritur presionin në botë, veçanërisht në rajonin Indo-Paqësor, Rusia vazhdon luftën e saj brutale dhe të padrejtë kundër Ukrainës fqinje, ndërsa Irani vazhdon aktivitetet e tij destabilizuese në Lindjen e Mesme”, theksoi ai.

Ai theksoi se SHBA do të vazhdojnë të jenë një partner aktiv në rajon dhe se do të mbështesin aleatët e tyre në luftën kundër terrorizmit. 

“Ne kurrë nuk do të largohemi dhe do të lëmë një vakum në rajon që do të mbushet nga Kina, Rusia apo Irani”, tha Biden.

Duke iu referuar negociatave bërthamore me Iranin, Biden theksoi se SHBA do të vazhdojë përpjekjet diplomatike, por kurrë nuk do të lejojë Iranin të ketë armë bërthamore.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të mbështetur dhe forcuar partneritetet me vendet që kontribuojnë në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ne do të sigurojmë që këto vende të mund të mbrohen edhe nga kërcënimet e jashtme”, tha ai.

Ai shtoi se nuk ka më luftëra tokësore në rajon dhe luftëra në të cilat marrin pjesë forcat amerikane dhe se ata janë krenarë për këtë situatë.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë vend në rajon të kontrollojë një tjetër me mjete ushtarake,” tha Biden.

Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e sigurimit të të drejtave të njeriut në vendet e rajonit.

“SHBA do të mbështesë gjithmonë të drejtat e njeriut. E ardhmja do të fitohet nga vendet që realizojnë potencialin e plotë të popullsisë së tyre”, tha lideri amerikan.

Presidenti amerikan Biden vizitoi Arabinë Saudite për herë të parë që nga marrja e detyrës më 20 janar 2021.

Biden ka vizituar më parë Izraelin dhe Palestinën si pjesë e turneut të tij në Lindjen e Mesme. /tesheshi.com/

You may also like