Besa Çeku Buçinca përgatit dokumentar për vajzat dhe gratë kontribuuese në UÇK (VIDEO)

by admin
Spread the love

Në emisionin “Special One” në Shqip FM, ikona e lajmeve qendrore, Besa Çeku Buçinca, ka folur  për histori interesante të jetës së saj, karrierën dhe familjen.

Me zërin e saj, ajo na ka përshëndetur pothuajse çdo ditë për vite me radhë, qoftë me lajme të mira apo më pak të mira dhe ndër folëset më të njohura në vendin tonë.

Ajo në këtë emision rrëfen kur ka qenë paraqitja e saj e parë para mikrofonit.

“Do ta tregoj një detaj, unë kam filluar shkollën shumë herët, me 5 vjeç, zakonisht shkonin me 7 vjeç, unë shkova me 5 vjeç edhe isha shumë e vogël, recitoja shumë bukur. Kishim përgatitur një program për ditën e shkollës dhe ngaqë isha shumë e vogël ata më ndihmuan që të hip në skenë edhe ndërkohë unë kisha recituar një vjershë pa e ditur se Radio Prishtina atëherë, kishte regjistruar gjithë programin e përgatitur për ditën e shkollës. Ky është ai kontakti i parë imi pavetëdije para mikrofonit”.

Ndër të tjera, ajo tregon për punën në radio dhe televizion, por edhe për emocionet e ditës kur për herë të fundit i dha lajmet në televizion.

“Ishin me të vërtetë emocione të çuditshme, por mund ta them që të njëjtin emocion e kam pasur si në fillimet e mia, si në edicionin tim të parë të lajmeve në televizionin e Prishtinës, ashtu ishin të njëjtat emocione edhe në atë edicion përshëndetës. Ndihesha mirë që arrita këtë moshë, që arrita ta mbyll një kapitull të jetës dhe të filloj një kapitull të ri, sepse edhe pleqëria ka atë sharmin e vet. Deri këtu unë kam qëndruar me dinjitet dhe qëllimi im është që deri në fund ta ruaj këtë dinjitet, ta ruaj portretin, kjo është ajo që unë çmoj te njerëzit përgjithësisht. Jo çdo gjë shitet dhe blihet, ka diçka që nuk shitet dhe nuk blihet, ajo është dinjiteti”, tha ajo.

Ndërkohë, Besa Çeku-Buçinca ka treguar se është duke përgatitur dokumentar për vajzat dhe gratë që kanë dhënë kontribut në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu edhe për gratë që kanë kontribuar për vendin tonë. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

You may also like