BERLIN – Gjermania planifikon të rifillojë bashkëpunimin me UNRWA

by admin
Spread the love

BERLIN, 24 prill /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane pritet të rifillojë bashkëpunimin e saj me Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në Rripin e Gazës në të ardhmen e afërt.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Jashtme Gjermane dhe Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

UNRWA – ofruesi kryesor i ndihmës humanitare në Gaza – u përball me një krizë të madhe pasi Izraeli akuzoi dhjetëra punonjës të saj se ishin përfshirë në sulmet e 7 tetorit që shkaktuan vdekjen e rreth 1200 personave.

Disa punonjës u pushuan nga puna pas akuzave. Në ditët dhe javët që pasuan, 16 vende donatore – përfshirë dy donatorët më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania – pezulluan ose ndaluan financimin, duke e lënë atë me një boshllëk financimi prej rreth 450 milionë dollarë.

Pas akuzave, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres premtoi një hetim gjithëpërfshirës.

Ekspertët e ngarkuar me hetimin e neutralitetit të OKB-së në kuadër të pretendimeve se disa punonjës të OKB-së ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit rekomanduan forcimin e masave mbrojtëse në “tetë zona kritike”.

Në të njëjtën kohë, raporti i tyre tha gjithashtu se Izraeli deri më tani nuk kishte ofruar prova se disa punonjës ishin anëtarë të organizatave terroriste.

Grupi i pavarur, i kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, u krijua në fillim të shkurtit.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like