BERLIN – Gauck: Putini po shfrytëzon frikën e gjermanëve

by admin
Spread the love

BERLIN, 30 mars /ATSH-DPA/ – Gjermanët janë shumë të frikësuar në marrëdhëniet e tyre me presidentin rus Vladimir Putin, tha ish-presidenti Joachim Gauck për agjencinë e lajmeve RND.

“Putini e di se gjermanët frikësohen më shpejtë sesa për shembull polakët apo francezët, dhe ai po e shfrytëzon këtë tendencë”, tha Gauck, i cili shërbeu si president midis 2012 dhe 2017.

“Frika është një ndihmës i agresorit”, tha ai.

Gauck, një ish-pastor luteran në Gjermaninë Lindore komuniste, i cili luajti një rol kyç si aktivist i të drejtave në prag të ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, tha se frika i bëri njerëzit të paaftë për të parë zgjidhjet e mundshme për problemet.

Ai argumentoi se kancelari Olaf Scholz duhet të rishqyrtojë refuzimin e tij për të furnizuar Ukrainën me raketat “Taurus”  dhe hodhi poshtë pikëpamjen se kjo do ta tërhiqte Gjermaninë drejt luftës në Ukrainë.

Ai vuri në dukje se ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, ekspertët ushtarakë dhe shumë anëtarë të koalicionit qeverisës nuk e ndanë pikëpamjen e Scholz mbi këtë çështje.

Çështja ka qenë objekt debati intensiv, ndërsa Scholz ka shprehur frikën se objektivat brenda Rusisë mund të goditeshin nëse Berlini i dorëzonte Kievit raketat.

Gauck gëzon një status të konsiderueshëm si një zë i autoritetit moral në Gjermani pasi shërbeu si komisioner qeveritar që shqyrtoi të dhënat e Stasit, Ministrisë famëkeqe të Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like