Berisha flet pas vizitës në “Panairin e Librit”: Rama armik i librit, do heqim taksat për shtëpitë botuese, do i ulim për shtypshkronjat

by admin
Spread the love

Edhe nga panairi i Librit, ish-kryeministri Sali Berisha, e ka një akuzë për Kryeministrin Edi Rama, ndërsa vizitoi stendat e librave, ku zgjodhi të blejë të preferuarit e tij, Berisha tha se dënon politikën antilibër të Edi Ramës.

Për Berishë, kreu i qeverisë është një armik i egër i të librit e kulturës, duke qenë se sic u shpreh ai, në Shqipëri libri tatohet më shumë se kudo në Europë.

“Sot në këtë panair, festival madhështor i librit, me gjeninë e tyre krijuese, ata janë kontributorët kryesorë në forcimin, shkëlqimin e identitetit tonë kombëtar. Asgjë nuk lidhet me identitetin e shqiptarëve më shumë se gjuha dhe libri e libri dhe gjuha. Në këtë kontekst, kjo mori publikimesh shqiptare dhe të huaja në gjuhën tonë amtare, përbëjnë një arritje të re, për kulturën, letrat shqipe.

Por unë jam këtu për të dënuar politikën antilibër, antikombëtare të Edi Ramës, të këtij armiku të egër të librit, kulturës, të këtij antishqiptari që i futi buldozerët Teatrit Kombëtar, që mbuloi me ndërtime 120 objekte të trashëgimisë kulturore, që po rrënon Butrintin dhe vlerat e tjera të mëdha.

Por jam këtu për të denoncuar qëndrimin antilibër të tij. Shqiptarët duhet ta dinë se libri këtu tatohet më shumë se kudo në Europë. Shqiptarët duhet ta dinë se ato përpjekje që u bënë për të krijuar, jetësuar bibliotekat në të gjitha shkollat e vendit, ato fonde që u përcaktuan për të blerë libra për ato biblioteka, u ndaluan me një vendim antilibër të Edi Ramës.

Kur flasim për librin nuk mund të mos parashtrojmë këtu të gjitha problematikat e mëdha që ka krijuar ky njeri që për veten e vet, pretendon se me një libër ndërtoi sarajet e Surrelit dhe tani takson si shtëpitë botuese, edhe shtypshkronjat, duke rritur kostot dhe ulur tirazhet e librave në mënyrë dramatike.

Kjo politikë antilibër në të vërtetë është politikë e mirëfilltë antishqiptare. Vetëm tarifat dhe taksat dogane që ky vendos e bën librin pothuajse të ndryrë në territorin e Shqipërisë, në një kohë kur ne jemi një komb ku ¾ i kemi në dhera të tjera. Dua të garantoj të gjithë autorët, krijuesit se një politikë tjetër krejtësisht e ndryshme nga kjo do të instalohet.

Se bibliotekat që Borges i quan pothuajse parajsa, do të njohin mbështetje të fuqishme për të blerë dhe pasuruar me librat e autorëve tanë dhe ndërkombëtarë. Se nuk do të ketë taksë edhe për shtypshkronjën edhe për shtëpinë botuese. Përkundrazi ajo e shtëpive botuese do të hiqet dhe ajo e shtypshkronjave do të jetë në nivelet më të pranueshme.

Do të bëhet gjithçka për një hapësirë shqiptare libri. Libri në raportin fiskal nuk do të ketë kufi. Do të ketë një mendësi krejtësisht tjetër. Kolonat e mendimit shqiptar do të jenë kollonat e bibliotekave tona në mbarë Shqipërinë.

Ftoj të rinjtë të lexojnë sa më shumë libra. U rikujtoj këtu një shprehje të Xhorxh Martin, i cili thotë se, njeriu me librat që lexon jeton me mijëra jetë. Pra pasurohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë e kuptoj pasionin e tyre për dixhitalet por asgjë nuk mund të zëvendësojë magjinë e librit.

Uroj që edhe ky festival, dhe më bëhet shumë qejfi e gëzohem që e shikoj me të rinj, adoleshentë dhe fëmijë. Uroj që ky pasion të ju bëhet pasion i jetës së tyre, pasi në tërë jetën nuk do të gjejnë një mik më të mirë se libri”, -u shpreh Berisha.

You may also like