Berisha e quan “Ballkanin e Hapur” projekt serbo-rus, një vit pasi thoshte se është projekt i Trumpit (VIDEO)

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është kundërshtuesi më i madh në Shqipëri i “Open Balkan”, të cilin e konsideron projekt serbo-rus, destabilizues për rajonin dhe që për qëllim ka vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.

Madje, ai thotë se këtë e konfirmoi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili, pas anulimit të vizitës së tij në Beograd, për shkak të bllokimit të hapësirës ajrore, deklaroi se “Ballkani i Hapur” është projekt serb që e ka mbështetjen e Rusisë.

“Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, shkroi Berisha, transmeton Klankosova.tv.

Ai thotë se me këtë deklaratë Lavrov konfirmon se “Open Balkan” është një projekt ruso-serb, anti-NATO dhe anti-BE.

“Nuk kam pasur asnjë dyshim se ‘Ballkani i Hapur’ është një projekt ruso-serb, anti NATO dhe anti BE. Por, dua të rikujtoj se mbështetësi më i fuqishëm i ‘Ballkanit të Hapur’ është George Soros. Trashëgimtari i tij, Aleks Soros, ka përfaqësuar të atin në çdo samit, duke filluar nga samiti i themelimit të tij në Novi Sad e në vazhdim deri sot në Ohër. Në këtë nismë gjeostrategjike anti BE dhe anti NATO, Lavrov dhe Soros janë së bashku dhe kanë qëndrime identike”, ka thënë ai, përcjell Klankosova.tv.

Por, është vetë Sali Berisha i cili, vitin e kaluar, në një intervistë dhënë për “Rubikon” në Klan Kosova, ishte shprehur krejt ndryshe.

Ai ishte pro “Ballkanit të Hapur”, që atëherë quhej Mini-Shengeni Ballkanik, pasi besonte se në doktrinën e presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Donald Trump, stabilizimi ekonomik ka ndikim të fuqishëm në stabilizimin politik.

“Natyrisht, ideja e Mini-Shengenit është ide e pamohueshme dhe atraktive, sepse nuk mund të flasësh për normalizim ekonomik në një kohë kur nxjerr një seri barrierash për këtë stabilizim”, ishte shprehur ish-kryeministri në këtë intervistë në Klan Kosova.

Kujtojmë se së fundi si vëzhgues të “Open Balkan” janë bërë pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina, ndërsa Kosova vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në këtë nismë rajonale.

You may also like