Bardhi: Partia nuk është kasafortë, firmat të dorëzohen në protokoll

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, e quajti ‘show’ hapjen e kutisë me firmat e delegatëve që kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, nismë kjo e ish-kryeministrit Sali Berisha.

‘Zoti Berisha është tallur edhe me atë pakicë që ka besuar te lëvizja e tij. Nuk bëhet spektakël me vullnetin e demokratëve. Edhe zëri i pakicës së pakicës do të duhet të dëgjohet.

Edhe sikur të jenë arritur 1/8 apo 1/10 të firmave, siç janë të dhënat tona, ato nuk mund të mbyllen në kasafortë. Edhe zëri i kësaj pakicë duhet të dëgjohet nga institucionet e Partisë.

Dua të ripërsëris thirrjen time si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së që nxirrini firmat nga kasaforta, mos bëni ‘show’ me gazetarë që nuk janë në gjendje të verifikojnë nëse ata që kanë firmosur janë apo jo në Shqipëri, janë apo jo demokratë’, tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shtoi: ‘Unë dje ju shpjegova procedurën statutore, me rregullat se si funksionon një institucion që nuk vepron në ilegalitet.

Kërkesa duhet dorëzuar zyrtarisht në protokollin e PD-së dhe do të duhet të mblidhen institucionet për të shqyrtuar kërkesën dhe më pas të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Zyrtarët e PD-së, anëtarët e Kuvendit Kombëtar janë njerëz të lirë, me vullnet të lirë dhe që kanë mendimin e tyre, që do të duhet të dëgjohet’.

‘Partia nuk është kasafortë, nuk është bunker. Ne nuk jemi celulë ilegale, por veprojmë në përputhje me rregullat e shtetit dhe të Partisë Demokratike’, nënvizoi Bardhi.

Bardhi publikoi deklaratën e deputetit Flamur Noka për rregullat që duhen ndjekur për mbledhjen e Kuvendit. Në datën 29 Tetor, zoti Noka deklaroi se ‘firmat do të depozitohen në protokoll dhe më pas i takon kryetarit dhe Kryesisë të mbledhin Kuvendin.’

‘Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. ‘- ishte ftesa e Gazment Bardhit, duke iu referuar qëndrimit Statutor të para pak ditëve të deputetit Flamur Noka. ‘Nëse dikush ka vendosur të veprojë si celulë apo ilegalitet, është i lirë të veprojë, por jo në emër të demokratëve dhe jo në emër të PD’- tha Gazment Bardhi.

You may also like