Barcelona në limite, tre muaj “me lakun në fyt”. Klubi katalanas ka thyer një rekord të viteve 60’

by admin
Spread the love

Barbastro në Kupën e Mbretit ishte një mundësi e mirë me Barcelonën për të fituar me gola. Në fakt, katalanasit shënuan tre të tillë. Por nga ana tjetër, panë që në rrjetën e tyre të përfundonin dy gola të klubit inferior. Një tjetër fitore agonike për kampionët e Spanjës, që vuajtjet i kanë kthyer në rutinë në këtë sezon në të gjitha kompeticionet ku garojnë.

Hera e fundit që Barcelona fitoi një ndeshje pa pasur nevojë që trajneri i saj, Ksavi, të hidhte sytë nga ekrani ku shënohej rezultati për të parë se sa kohë kishte mbetur para se gjyqtari të sinjalizonte përfundimin e lojës ishte më 19 shtator 2023. Ishte ndeshja e Ligës së Kampionëve, kur Barça mundi Antverpin 5-0 në stadiumin “Olimpik Montjuïç”. Që nga ai sukses me “manita” kanë kaluar 92 ditë që kur skuadra “Blaugrana” ka pasur një zinxhir prej 20 ndeshjesh duke fituar (kur kanë fituar) me diferencën minimale prej një goli. Barcelona e Ksavit ka thyer një rekord negativ të kahershëm.

Rekordi më i gjatë i mëparshëm i skuadrës së Barcelonës, pa fituar me më shumë se një gol diferencë daton në sezonin 1962- 1963 në të cilin Barça arriti deri në 18 ndeshje pa fituar ndaj rivalëve të saj me më shumë se një gol. Në atë sezon, takimi i fundit i fituar me më shumë se një gol diferencë ishte ai 4-0 kundër Malagës në javën e pestë në La Liga 1962-1963 më saktësisht më 14 tetor 1962. Pas 18 ndeshjesh me suksese minimale e dështime, Barça u kthye të fitojë me diferencë golash më 10 shkurt 1963 po kundër Malagës 0-7. Në atë seri prej 18 ndeshjesh, 14 prej të cilave në La Liga dhe 4 në Kupën e Mbretit, katalanasit regjistruan vetëm 4 fitore, 6 barazime dhe 8 humbje.

Ky rekord 60- vjeçar u barazua në ditën e ndeshjes kundër Almerías, e fundit për vitin 2023, një sukses shumë i vuajtur 3-2. Domethënë, skuadra e Barcelonës deri më tani kishte kaluar për më shumë se gjashtëdhjetë vjet pa kaq shumë ndeshje radhazi me një avantazh maksimal të favorshëm prej një goli. Me këto të dhëna, mund të supozohet se Barcelona do të kishte rënë në klasifikim dhe në Evropë, por me shifrat në dorë, statistikat nuk janë aq të këqija nëse rishikohen rezultatet: nga këto njëzet ndeshje Barcelona ka fituar 12 dhe 4 barazuar, me 4 humbje.

Trajneri Ksavi e ka gjetur “diagnozën” e mungesës së golave te Barcelona: mungesa e efektivitetit para portës. Por deri më tani ai nuk ka mundur të gjejë ilaçin për të shëruar skuadrën e tij nga suksese të tilla agonie dhe që kanë sjellë kritika të forta në adresë të ekipit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI -PANORAMASPORT.AL

You may also like