Ballkani pëson humbjen e dytë në Europë, “bie” në Fadil Vokrri përballë Astanës

by admin
Spread the love

Kampionët e Kosovës nuk mundën të përballonin sulmet e kazakëve ndërsa nga ana tjetër nuk arritën të kishin kthjelltësinë e duhur përpara duke shpërdoruar disa shanse të mira shënimi.

Pjesa e parë nisi me shumë vrull teksa miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e shtatë. Ishte Jovancic që ndëshkoi portierin Koliçin me një goditje brenda zonës. Gjithsesi, skuadra nga Suhareka reagoi menjëherë dhe në aksionin pasardhës barazoi shifrat me anë të kapitenit Edvin Kuc. Mesfushori nuk fali brenda zonës dhe shndërroi në gol një harkim perfekt të Kryeziut.

Në vijim, Astana u shfaq më kërkuese dhe në fakt miqtë e gjetën sërish golin e avantazhit në minutën e 23-të. Këtë herë ishte Kuat që goditi saktë me kokë pas një goditje këndi me portierin Koliçi që nuk mundi të bënte shumë në këtë moment. Në fundin e pjesës së parë, vendasit patën një shans ideal për të barazuar teksa Gripshi gaboi me kokë pas harkimit të Kryeziut.

Në fraksionin e dytë, Ballkani u shfaq më shumë kërkues i detyruar për të gjetur golin e barazimit. Ishte sulmuesi Berisha që pati dy mundësi të mira shënimi, por në njërën prej tyre u ndal nga portieri Condric ndërsa në tjetrën nuk mundi të devijonte topin nga fare pranë portës. Në minutën e 89-të, Ballkani pati një tjetër mundësi, por Manaj nuk mundi ta devijonte saktë topin pas harkimit të Tolaj.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi teksa kjo ishte humbja e parë për Ballkanin në të gjitha kompeticionet nga 21 shtatori, në atë periudhë humbisnin përballë Plzen.

Pas kësaj disfate, Ballkani mbetet në vendin e tretë me tre pikë në Grupin C, ndërsa Astana merr trepikëshin e parë, por mbetet e fundit. Ndërkaq, grupi kryesohet nga Plzen me gjashtë pikë dhe Dinamo Zagreb me tre pikë, teksa këto të dyja skuadrat kanë për momentin një ndeshje më pak. Gjithsesi, shanset e Ballkanit për një kualifikim të ëndërruar mbeten të realizueshme ndërsa ndeshjen e radhës e luajnë po ndaj Astanës në transfertë më datë nëntë nëntor.

Kronika e ndeshjes

Ballkani-Astana 1-2

89′ Shans i artë për Ballkanin për të gjetur golin e barazimit, Tolaj harkon në zonë, portieri kundërshtar gabon në dalje dhe Manaj godet me kokë, por nuk e dërgon në rrjetë

73′ Dellova lëviz bukur në hyrjen e zonës së Astanës, mbrojtësi driblon dy kundërshtarë, por në fund goditja e tij devijohet nga mbrojtësit. Goditje këndi për Ballkanin

63′ Tjetër mundësi për Berishën, Thaqi harkon në zonë, por sulmuesi nuk arrin të devijojë

60′ Ballkani i afrohet golit të barazimit, portieri Condric eviton golin pas goditjes së Berishës

49′ Edvin Kuc tenton nga distanca, por pret pa probleme portieri Condric

45+3′ Gripshi i shkon shumë pranë golit të barazimit, por goditja me kokë e sulmuesit shkon jashtë kuadratit të Condric

41′ Ballkani rrezikon të pësojë sërish, topi i goditur nga Hovhannisyan kalon ngjitur me shtyllën e Koliçit

38′ Trajneri Ilir Daja kryen zëvendësimin e parë të detyruar, Vesel Limaj largohet i dëmtuar dhe në lojë aktivizohet Bleart Tolaj

23′ Goooool! Astana kalon përsëri në avantazh, nga zhvillimet e një këndoreje është Kuat ai i cili me kokë mposht Koliçin

23′ Astana mbetet në sulm, Darboe lëviz mirë në zonë dhe harkon për Ourega, ky i fundit godet ndërsa për fat të mirë Thaqi devijon në goditje këndi

21′ Astana sërish në sulm, Ourega pretendon për penallti, por arbitri nuk e mendon kështu

8′ Goooooool! Ballkani reagon menjëherë dhe në aksionin pasardhës gjen golin e barazimit me kapitenin Edvin Kuc pas asistit të Kryeziut

7′ Gooool! Astana gjen golin në aksionin e parë të ndeshjes, Jovancic mposht nga brenda zonës portierin Koliçi

4′ Mundësia e parë e ndeshjes i takon Ballkanit, Trashi rikuperon një top në anësore, lëviz bukur dhe pason për Gripshin. Sulmuesi vertikalizon për Berishën, por që mbyllet nga portieri Condric/ supersport

You may also like