“Asociacioni” si sherr i trashëguar

by admin
Spread the love
Blerim Halili

Përballja e katërfishtë e kryeministrit Kurti: marrëveshjet e dëmshme të trashëguara, destruktiviteti i Serbisë, presioni ndërkombëtar dhe kritika joracionale e eksponentëve politikë e mediatikë.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Kërkesa dhe insistimi i Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është shndërruar tani në një temë mjaft problematike, komplekse dhe deri-diku të paparashikueshme. Kjo bëhet edhe më serioze tani kur bashkësia ndërkombëtare ka intensifikuar shumë përpjekjet për të përafruar palët në bisedime e nga të cilat kërkon edhe respektimin edhe të marrëveshjeve paraprake. Nënshkrimi i marrëveshjes, e cila do ta përmbajë edhe themelimin e Asociacionit, duket të jetë barra më jomeritore dhe sfida më serioze e qeverisë Kurti. Nga ana tjetër, ai përballet me një kritikë të brendshme jokonstruktive e jokredibile. Kritika e opozitës dhe eksponentëve të tjerë mediatikë e politikë më shumë është e trajtës “ja, as ti nuk mund të qëndrosh, prandaj do të dorëzohesh”, duke përbrendësuar një lloj satisfaksioni se ai u dorëzua, sesa e llojit “mos u dorëzo, jemi me ty” dhe të referohen në argumente racionale për qëndrimin e tyre. Pra, Albin Kurti kritikohet jo pse nuk u përmbahet kritereve tona të interesit publik, qëndrimit shtetëror e kombëtar, ose tonave si subjekt, por sepse “ai nuk u përmbahet kritereve të veta” dhe kjo përbën faj për të e satisfaksion për ne.

Pakica serbe në Kosovë gëzon të drejta të garantuara, ku aplikohet diskriminimi pozitiv ndaj saj. Praktika kosovare ndaj pakicës serbe është shembull i avancuar dhe model dhe për vendet europiane. Shto kësaj faktin se serbët në Kosovë kanë më shumë pushtet praktik sesa juridik. Ata, përkatësisht komunat veriore me shumicë serbe, më shumë i kontrollon Beogradi sesa rendi kushtetues e shteti i Kosovës. Prandaj, të dyja këto realitete i sigurojnë komunitetit serb një pozicion të avancuar politik e shoqëror. Çdo tejkalim i kësaj do ta cenonte rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e shtetit ende të ri të Kosovës.

Një asociacion me baza etnike është absurd në vetvete. Pikësëpari ai e cenon rendin kushtetues të Kosovës, bie ndesh me karakterin multietnik të shtetit. Së dyti, ai bie ndesh me praktikat dhe vlerat europiane e perëndimore për një shoqëri multietnike. Se është absurde dhe e dëmshme, këtë tashmë e dinë të gjithë. Çështja është se si të trajtohet ajo nga shteti i Kosovës. Si do ta trajtojë pas këtij momenti qeveria e Kosovës një marrëveshje e cila është nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015 nga udhëheqja e atëhershme kosovare dhe ajo serbe, e të cilën pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare e quan obligim ndërkombëtar?! Sa ka fuqi Albin Kurti ta refuzojë aplikimin e një marrëveshjeje që është nënshkruar nga dikush tjetër në vitin 2013?! Dhe, për absurditet, presioni në drejtim të tij është i formës “nënshkruaje se s’ke qare”. Por, cili është qëndrimi real i eksponentëve kritikues ndaj marrëveshjes së vitit 2013 e 2015 për Asociacionin? Aq e cekët është kritika, saqë harron subjektin, Asociacionin, dhe ngulmon në faktin se “edhe ky do ta nënshkruajë”. Për disa nga ata që supozojnë se janë kundër Asociacionit, janë dy skenarë të mundshëm se pse janë të tillë ose pse pas sensibilizimit të bërë nga Albin Kurti dhe këmbënguljes së tij për të mos nënshkruar diçka që ndan vendin në baza etnike, janë vetëdijesuar se ajo është e dëmshme dhe kategorikisht duhet të kundërshtohet me një konsensus ose kundërshtojnë për të kundërshtuar, për të demonstruar kështu një kuptim të cekët e arbitrar të opozitarizmit, edhe atëherë kur sovraniteti i rrezikuar i shtetit kërkon unitet e seriozitet. Opozita aktuale është shumë e paartikuluar, jokredibile dhe pa taban të mirëfilltë politik e shoqëror. Ajo është një lloj kopjeje e dobët e opozitarizmit. As e guximshme, as e vendosur. Nga ana tjetër, në çka të jetë e vendosur? Në kundërshtimin e një marrëveshjeje që e kanë nënshkruar vetë? Në fakt, opozita nuk e ka të lehtë, madje e ka të vështirë tani po aq sa qeveria. Nga njëra anë, të dalë kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i bie të dalë kundër vetes dhe kundër perëndimit e Amerikës, për sa kohë që këtë propagandë e kanë fabrikuar e artikuluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Nga ana tjetër, të dalë pro themelimit të Asociacionit në një kohë kur Albin Kurti e ka imponuar me sukses idenë se ai është kundër shtetësisë dhe rrezikon Kosovën, i bie se janë kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Në të vërtetë, ideja për themelimin e Asociacionit u bë kaq e madhe e problematike në planin tonë të brendshëm vetëm pasi vetë Albin Kurti si kryeministër e trumbetoi si problematike dhe përpiqej të jepte alternativa e të shkonte në takime me propozime (qasja proaktive). Është interesant fakti se qarqet mediatike në Kosovë, që ndërtojnë një diskurs presioni ndaj qeverisë, më shumë për ta realizuar sesa për të mos e realizuar marrëveshjen e Asocioacionit, për ta bërë kështu në fund prapë fajtor kryeministrin, jo pse theu principet tona, por të vetat, ishte shumë e fshehur dhe mjeshtërore në kalimin në heshtje marrëveshjen në vitin 2013 dhe 2015, prej nga është krejt origjina e problemit. Prandaj, kritika e një numri të madh të mediave duhet marrë me rezervë dhe duhet kuptuar në kuadër të një lufte propaganduese të nxitur nga sponsorë me pushtet ekonomik e politik në Kosovë, ndoshta edhe më gjerë.

Roli i pakicave kombëtare joserbe në Kosovë në kundërshtimin e Asociacionit do të ishte mjaft domethënës. Ani pse konteksti nuk u jep pozicionin historik e juridik të pakicës serbe, edhe për faktin e një lloj barre ndërkombëtare të padeklaruar për kompensimin e Serbisë ndaj kapitullimit të saj në luftën e fundit, ato do të duhej ta kundërshtonin çdo nismë që i privon ata nga një e drejtë, privilegj a praktikë, e cila i njihet komunitetit serb. Ky do të shërbente si një lloj presioni për të penguar çdo lloj precedenti që një pakicë të gëzojë më shumë të drejta se një tjetër, si puna e Asociacionit, rrjedhimisht do të ishte një shtyllë për rendin shtetëror e kushtetues të Kosovës, i cili është një, i pandashëm dhe për të gjithë, përfshirë të gjitha pakicat kombëtare.

Ishte interesante dhe në fakt korrekte dhe ndoshta e duhur për kontekstin ideja e njërit nga eksponentët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, i cili duke marrë shembull insistimin perëndimor për të themeluar asociacionin serb në Kosovë kërkoi që, konform vlerave perëndimore mbi të cilat po kërkohet një gjë e tillë në Kosovë, të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare në MV. Kjo kërkesë, ndonëse në një realitet pak më të relaksuar gjeopolitik, do të ishte shumë e duhur dhe alarm për bashkësinë ndërkombëtare për efektin domino që do të përcillte rajonin nëse një gjë e tillë veprohet në Kosovë, në konstelacionin aktual nuk duket se e ndihmon procesin, kjo për disa arsye. Qasja e fuqive ndërkombëtare ndaj Serbisë është tjetër, jo aq parimore, është tolerante, joshëse. Serbia kërkon dhe insiston në zbatim, ngase has në “mirëkuptim”, duke përfituar nga konteksti i luftës ruso-ukrainase, teksa në një krizë gjeopolitike Europa e Perëndimi bëjnë përpjekje ta rreshtojnë atë pranë vetes. Nga ana tjetër, shqiptarët nuk kanë fuqi reale e kohezion të mjaftueshëm për të kushtëzuar, për të penguar një proces tjetër ose alternativë për t’u rreshtuar me një fuqi tjetër joperëndimore (siç Serbia e ka Rusinë). Madje, shqiptarët aktualisht nuk janë mjaftueshëm të unifikuar për ta kërcënuar ligjërimin aktual politik me trazira e destabilizim, si kushtëzim për avancimin e pozitës së tyre juridike, gjuhësore e shoqërore në vendet përkatëse. Diskursi brendashqiptar në terma të gjerë është uniform, jo aq i larmishëm sa të premtojë ardhjen e një force politike ndryshe, që nuk do t’u shkonte për shtati fuqive ndërkombëtare dhe diskursit të tyre. Pra, shqiptarët aktualisht janë të menaxhueshëm. Dhe, ndoshta më mirë që janë kështu, ngase në instancën e fundit jemi në krahun perëndimor, ku për sigurinë dhe mirëqenien tonë synojmë të vazhdojmë rrugëtimin deri në integrimin e plotë. Dhe, trazirat e destabilizimi më së paku do të ishin në favorin tonë. Avancimi i të drejtave të shqiptarëve dhe pozitës kushtetuese e shoqërore do të duhej të bëhej per se, jo për shkak se dikush tjetër e bëri atë. Insistimi për ngritjen e përmirësimin e pozitës së shqiptarëve duhet referuar në parim, në principe, në vlera e jo në modele të gatshme. Megjithatë, hapja e këtij debati do t’i shkonte për shtati idesë së përgjithshme për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Takimi i Ohrit duket se hodhi një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Ani pse pala serbe sërish refuzoi ta nënshkruajë ujdinë e arritur, ndërmjetësit ndërkombëtarë deklaruan se ajo është valide dhe e obligueshme. Teksa procesi ka shumë paqartësi dhe paparashikueshmëri, opinioni publik është fare pak i informuar për detajet. Mbetet të shihet se sa është ruajtur rendi kushtetues dhe a është cenuar në ndonjë element. Debati se ky asociacion që po kërkohet të themelohet është vetëm një vetëmenaxhim i komunitetit serb ose vërtet një asociacion me kompetenca ekzekutive, nuk shpalosi shumë gjëra. Mund të thuhet se ekzistojnë së paku tri interpretime në lidhje me të. Kosova nuk duhet të lëshojë pe në të drejtën e vet për sovranitet, pra duhet ta refuzojë themelimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive. Marrëveshja, edhe nëse nënshkruhet e finalizohet, e përmban rrezikun e moszbatimit nga vetë Serbia, duke u bazuar në praktikat destruktive ndaj Kosovës dhe ndaj detyrimeve ndërkombëtare gjatë këtyre viteve. Duke qenë kështu, sado që shihet një energji e vullnet i ri, sidomos nga ndërmjetësit dhe nga pala kosovare, marrëveshja finale mund të mos arrihet ose mund të dështojë në proces. Prandaj një asociacion i tillë të mos na mbetet në derë. Ai e përçan etnikisht Kosovën dhe mbetet vegël praktike e potencial destruktiv i politikës së forcave antishqiptare në Serbi. Nëse dështon marrëveshja, nuk do të duhej të ishte e ndëshkuar Kosova, për shkak të gatishmërisë për të nënshkruar, por Serbia si refuzuese. Perëndimi do të duhej të ishte më rigoroz në qortimin e paanshëm të palëve. E në rast se procesohet marrëveshja, e cila, siç u përmend në fillim, është e trashëguar nga qeveritë paraprake, na mbetet të shpresojmë se ajo me ndryshimet e bëra në Ohër nuk e cenon rendin kushtetues, karakterin unitar, sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. /revistashenja

You may also like