Asistenti robot, zbuloni çfarë do të ndodhë sot në finalen Real-Frankfurt

by admin
Spread the love

A jeni të kënaqur me VAR-in? Tani do të shihni SAOT-in. Sot do të zbresë në terrenin e lojës, në stadiumin Olimpik të Helsinkit një tjetër risi, që do të revolucionarizojë futbollin. E njohur si Teknologjia gjysmëautomatike e Pozicionit jashtë loje do të debutojë zyrtarisht në Superkupën e Europës me Realit të Madridit dhe Franfurtit.

“Të gjitha qeniet njerëzore kanë ëndrra. Madje edhe qentë kanë ëndrra. Por ti jo. Ti je thjesht një makineri. Je thjesht një imitim i jetës. A mundet një robot të shkruajë një simfoni? A mundet një robot të bëjë një shpikje?”, pyeste në mënyrë ironike Uill Smith në vitin 2004 për të vënë në dyshim teknologjinë dhe robotët.

Por ja që teknologjia dhe robotët do të ndihmojnë arbitrat për të marrë vendime sa më të sakta dhe të shpejta.

Çfarë është dhe si funksionon sistemi gjysmëautomatik i pozicionit jashtë loje?

Urgjenca e UEFA-s dhe FIFA-s ka qenë gjithmonë shkurtimi i kohës së arbitrave për të marrë vendimet dhe në këtë mënyrë janë gati që të integrojnë një sistem gjysmëautomatik për pozicionin jashtë loje. SAOT është një teknologji me shumë kamera që kap në ekstrem pozicionin e lojtarit në momentin ekzakt të pasimit.

“Janë 10 ose 12 kamera që kapin 29 pika të trupit të lojtarit, 50 herë në sekondë dhe një softuer analizon të dhënat në kohë reale duke përllogaritur në mënyrë perfekte momentin e pasimit dhe pozicionin e lojtarit. Është një përshpejtim i të gjithë procedurës që do të bënte arbitri në sallën e VAR-it për të afruar në mënyrë manuale pamjet. Këtë herë koha është më e shpejtë”, ka thënë ish-arbitri i njohur dhe drejtori i arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina.

Pozicioni jashtë loje do të jetë i saktë dhe i besueshëm. 12 kamera do të jenë të instaluara në pjesën e sipërme të stadiumit për të kapur lëvizjen e topit dhe 29 pika referimi në trupin e lojtarit. 29 të dhënat do të përpunohen në kohë reale për të kuptuar nëse kemi apo jo pozicion jashtë loje. Me këtë informacion mund të krijohen edhe pamjet 3D për të treguar më mirë momentin ekzakt të pozicionit jashtë loje, të cilat mund të tregohen me videoprojektorë në stadium apo në transmetim gjatë ndeshjeve.

Nëse më parë duheshin më shumë se 70 sekonda për të marrë një vendim, sot do të mjaftojnë 25 sekonda. Shumë më pak për t’i dhënë ritëm futbollit dhe ndeshjeve.

You may also like