ASH: Shfuqizimi i aktgjykimit për të akuzuarit e ngjarjeve të 27 prillit është shndërruar tanimë në praktikë të gjyqësorit

by admin
Spread the love




Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, në lidhje me organizatorët e “27 prillit”, e cila pranoi ankesat e tyre dhe vendosi që lëndën ta kthejë në rigjykim.

Reagimi i plotë i ASH-së:

Shfuqizimi i aktgjykimit për të akuzuarit si organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit 2017, ku përsëri shkak janë lëshimet dhe shkeljet procedurale në shkallë të parë, është shndërruar tanimë në praktikë e gjyqësorit në vendin tonë. Pas rasteve të shumta ku për të njëjtën arsye u shfuqizuan aktgjykimet dhe si pasojë vjetërsoheshin lëndët, rasti i fundit vetëm konfirmon dyshimet se këto veprime janë të qëllimshme. Urgjentisht duhet që të kërkohet përgjegjësi nga gjykatësit dhe fajtorët e tjerë të mundshëm të përfshirë në këto veprime skandaloze. Ndërkohë partitë politike dhe faktorët e tjerë relevant duhet sa më shpejtë të ulen për të filluar procesin e vetingut dhe reformat e tjera të nevojshme në gjyqësor dhe prokurori.

Dhuna e 27 prillit 2017 në institucionin më të lartë ligjvënës në vend është një nga ngjarjet më të rënda dhe më skandaloze që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, për diskreditimin dhe njollosjen e shtetit nga një regjim. Aktet e këtilla duhet të marrin dënimin e merituar për të mos u përsëritur kurrë më në të ardhmen. Në të kundërtën, veprimet e këtilla të gjykatave janë legjitimim dhe inkurajim i krimit dhe terrorizmit.


You may also like