Asetet e Grupit “Renault” në Rusi bëhen pronë shtetërore

by admin
Spread the love

“Marrëveshjet e transferimit të pasurive u firmosën ndërmjet Grupit «Renault», Federatës Ruse dhe Bashkisë së Moskës”, deklaroi Ministria duke shtuar se Bashkia e Moskës do të zotërojë 100% të aksioneve të Grupit “Renault” në Rusi dhe 67,69% të aksioneve të saj në «AvtoVAZ» do të bëhen pronë e Federatës Ruse të përfaqësuar nga Instituti Qendror i Kërkimit dhe Zhvillimit të Automobilave dhe Motorëve (NAMI).

Sipas marrëveshjes, aksionet e mbetura të partneritetit me “AvtoVAZ” do të ruhen nga Korporata Shtetërore për Promovimin e Zhvillimit, Prodhimit dhe Eksportit të Produkteve Industriale të Teknologjisë së Lartë (Rostec).

Marrëveshja i garanton gjigantit francez të automobilistikës mundësinë për t’i riblerë aksionet e tij në “AvtoVAZ”, opsion ky që mund të ushtrohet në periudha të caktuara gjatë 6 viteve të ardhshme.

Ministri rus i Industrisë dhe Tregtisë, Denis Manturov, njoftoi më 27 prill se asetet e “Renault” në Rusi do të transferoheshin në këmbim të shumës simbolike “1 rubël”.

Ai tha se duhet të gjenin një alternativë, sepse kompania franceze i pezulloi operacionet e saj në Rusi.

“Transferimi i një pjese të aksioneve të Grupit «Renault» tek shteti do të sigurojë ruajtjen e kontrollueshmërisë së «AvtoVAZ» dhe mundësinë e vazhdimit të funksionimit të ndërmarrjes në kushtet e sanksioneve dhe kufizimeve. Kështu, ne do të ruajmë kompetencat kryesore, ciklin e prodhimit dhe vendet e punës”, tha Manturov.

Në fund të marsit, prodhuesi francez i makinave vendosi të pezullojë aktivitetet në fabrikën e tij prodhuese në Moskë mes presionit në rritje të opinionit publik për t’u tërhequr nga Federata Ruse.

“Grupi «Renault» po vlerëson të gjitha opsionet e mundshme për «AvtoVAZ» duke marrë parasysh mjedisin aktual, ndërsa vepron me përgjegjësi ndaj 45 mijë punonjësve të tij në Rusi”, pati njoftuar kompania franceze.

Presidenti rus, Vladimir Putin, mbështeti propozimin e qeverisë për të emëruar drejtues shtetërorë në kompanitë e huaja që vendosin të largohen nga vendi.

Lufta që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022) ka shkaktuar mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur dhe një gamë shumë të gjerë sanksionesh ndaj Moskës, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konflikti ka nxitur gjithashtu një eksod të kompanive globale nga Rusia, kryesisht në sektorë kritikë si teknologjia, automobilistika, energjia dhe shitjet me pakicë.

You may also like