Stojançe Angellov ka publikuar fotografi në rrjetet sociale, ku thekson se flamuri shqiptar nuk është më në direkun në oborrin e kishës “Sht. Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit. Ai shkruan se do të vendoset flamuri i kishës.
Drejtori aktual i Qendrës për Menaxhim me Kriza, gjithashtu njofton se është arrestuar personi që hoqi flamurin e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM).
“Reagimi i shpejtë i institucioneve si dhe presioni publik mund të zvogëlojë provokimet që ndezin mostolerancën ndëretnike. Provokimeve nuk duhen heshtur, por duhet reaguar ashpër. Vetëm në këtë mënyrë do të dekurajohen provokatorët e mundshëm të ardhshëm. Reagimi i shoqërisë ndaj provokimeve të tilla duhet të jetë i bashkuar dhe unik pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, politike apo çfarëdo përkatësie tjetër”.
“Besoj se shumica e shqiptarëve e dënojnë këtë akt barbar të përdhosjes së flamurit të kishës. E vetmja gjë është se nuk kam parë asnjë përfaqësues të faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni të dalë me dënim publik ndaj këtij akti. Dhe duhet. Prandaj i bëj thirrje liderit të BDI-së Ali Ahmeti që ta dënojë publikisht këtë akt provokues vandalizmi”, ka shkruar Angellov në Facebook.
Pas vendosjes së kryqit në Kodrën e Diellit, mbrëmë disa të rinj ngritën flamurin shqiptar në oborrin e kishës, gjë që shkaktoi edhe reagim të KOM-it.
Vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit shkaktoi përplasje dhe tensione në vend, ndërsa Komuna e Tetovës mbajti edhe seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje./Telegrafi/