Analistët: Presioni ndërkombëtar e rritë mundësinë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Vizitat e
liderëve ndërkombëtar në vend po konsiderohen nga njohësit e çështjeve politike
si pozitive për Kosovën, ndërsa thonë se Qeveria e Kosovës duhet të kthehet në
dialog dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në
mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, raporton
Ekonomia Online.

Sa i përket temës
së dialogut, Asosaciont të Komunave dhe Manastirit të Deçanit, Sadiku e
Demhasaj sugjerojnë se duhet të dëgjohen këshillat e ndërkombëtarëve dhe se
asnjë qeveri nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç zbatimit të këtyre
marrëveshjeve.

Arton Demhasaj,
drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, tha për Ekonomia Online se vizitat e
liderëve ndërkombëtar në vend kanë tendencë që ta shtyjnë Kosovën të kthehet në
dialogun me Serbinë e sa më shpejt të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Krejt
shtetet që po vijnë e po e vizitojnë Kosovën, çështja kryesore e diskutimit
është çështja e dialogut. Pra, tendenca e krejt vendeve ose e liderëve që po
vijnë ta vizitojnë Kosovën është me shty Kosovën me u kthye në dialog e që
përmes dialogut sa më shpejt me arrit marrëveshjen përfundimtare me Serbinë –
që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që
është pozitive në këto vizita që po ndodhin, sidomos nga vizita e kancelarit
gjerman në Prishtinë, po njëkohësisht edhe në Beograd, është që për herë të
parë një lider i fuqishëm i BE-së, po e thotë shprehimisht pra që marrëveshja
në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nuk mund të
pretendohet që një shtet të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njoftë një shtet
tjetër”.

Demhasaj
konsideron se përmendja e shpeshtë nga ndërkombëtarët që të arrihet një
marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë është pozitive.

“Fakti që
shprehimisht po përmendet që marrëveshja duhet të përfundojë me njohje
reciproke, që deri më tash e kanë përmend vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës
e jo shtetet e Bashkimit Evropian, mendoj që është pozitive dhe është shenjë e
mirë për Kosovën. Pra, nuk duhet të ketë frikë të kthehet në dialog sepse
tashmë edhe shtete të caktuara të BE-së po e kërkojnë që marrëveshja në mes
Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke”.

Ai thotë se
Qeveria e Kosovës duhet të kthehet sa më shpejt në dialog, të kryhet
marrëveshja e të përfundojë me njohje reciproke.

Ai konsideron se
në këtë mënyrë Serbia nuk do të jetë pengesë e anëtarësimit të Kosovës në
organizata dhe institucione të rëndësishme.

“Qasja e
Kosovës duhet të jetë që të kthehet në dialog dhe të kërkojë sa më shpejt të
kryhet marrëveshja, e ajo marrëveshje të përfundojë me njohje reciproke që
Serbia më të mos jetë pengesë e Kosovës sa i përket integrimit qoftë në BE,
qoftë në Interpol, Europol, Këshill të Evropës apo në cilin do institucion të
rëndësishëm rajonal”.

Asociacioni i
Komunave e Manastiri i Deçanit, sipas Demhasajt do të jenë tema e dialogut.
Por, ai thekson se Kosova duhet të shprehet e gatshme që ta krijojë asociacionin
duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Padyshim që
këto tema kanë me qenë çështje e dialogut sa i përket zbatimit të marrëveshjes
së asociacionit po njëkohësisht edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e
kemi. Ne duhet të shprehemi të gatshëm për ta krijuar asociacionin në bazë të
vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, të tregojmë që kemi vullnet që
asociacioni të krijohet, po të krijohet në bazë të vendimit siç e ka dhënë
Gjykata Kushtetuese”.

Sa i përket
marrëveshjes përfundimtare, Demhasaj thotë se nëse ka vullnet të Kryeministrit
Kurti e Presidentit Vuçiq si dhe presionit ndërkombëtar, këtë vit mund të ketë
marrëveshje përfundimtare.

“Ne e pamë
që zoti Lajçak, si ndërmjetësues në Bashkimin Evropian, tha që është duke
punuar në organizimin e një takimi në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit
Vuçiq. Kështu që në rast se ka vullnet të palëve por edhe presion të shtuar nga
vendet e fuqishme perëndimore, mund të pritet që gjatë këtij viti edhe të ketë
një marrëveshje. Po kjo krejt varet edhe nga presioni ndërkombëtar por edhe nga
vullneti i Kosovës edhe i Serbisë”

Edhe Arbnor
Sadiku, analist politik, tha për Ekonomia Onlline se të gjitha vizitat në
Kosovë nga liderët ndërkombëtarë kanë konfirmuar mbështetjen për Kosovën si dhe
thirrje për Qeverinë e Kosovës që t’i kryejë detyrat që i ka sa i përket
dialogut me Serbinë.

“Të gjitha
vizitat që ndodhin në Kosovë, duke përfshirë kancelarin Olaf Scholz,
presidentin e Këshillit Evropian, Charls Michel, pastaj edhe ministrin e
jashtëm austriak dhe disa vizita të tjera që kanë ndodhur në Kosovë, janë
konfirmim i mbështetjes për Kosovën. Në një farë forme e forcojnë rolin e saj
në dialogun Kosovë-Serbi dhe në të njëjtën kohë janë thirrje për kryerjen e
detyrave që i ka Qeveria e Kosovës karshi dialogut të Brukseli dhe i bëjnë
ftesë Qeverisë së Kosovës të jetë më pragmatike në dialogun Kosovë-Serbi”.

Ai thotë se palët
e të dy qeverive duhet të bëjnë veprime konkrete për dialogun. Sa i përket
Asosacionit të Komunave, Sadiku thotë se duhet gjetur kompromis në ato pika ku
janë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.

“Sigurisht,
por kjo është premisë për të pasur sukses në dialog por jo rezultat. Rezultatet
në dialog i kërkojnë vetë palët të cilat janë në dialog. Kryeministri Kurti
duhet tashmë të bëjë veprime konkrete në dialogun Kosovë-Serbi, të zotohet për
realizimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel, të fillojë punën
për asociacionin e komunave serbe me krijimin e statutit dhe të negociojë me
ndërkombëtarët pikat të cilat i ka kontestuar Gjykata Kushtetuese. Në një farë
forme që të gjendet një tip kompromisi për ato pika të asociacionit që kanë
qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe janë sipas verdiktit të Gjykatës
Kushtetuese të Kosovës në kundërshtim me frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Tutje, ai thotë
se Kosova duhet të bashkëpunojë me shtetet aleate në mënyrë që të jetë më
funksionale në të ardhmen.

“Kjo është
qasja që duhet ndjekur dhe pragmatizmi, bashkëpunimi me miqtë dhe aleatët tanë
ndërkombëtarë siç janë vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht ato që na kanë
njohur, ShBA-ja, vendet siç është Japonia dhe disa vende të tjera që gjithmonë
e kanë mbështetur republikën e Kosovës. Kosova duhet të jetë bashkëpunuese dhe
ta ketë një rol më pragmatik e më funksional në të ardhmen”.

Ai thekson se
asosacioni është kusht edhe nga Amerika e Serbia për ta vazhduar dialogun.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të ketë frikë ta vazhdojë dialogun.

“Asociacioni
sigurisht që është kusht nga pala amerikane për ta vazhduar dialogun
Kosovë-Serbi, njëkohësisht është kërkesë edhe e presidentit Vuçiq dhe e
Serbisë. Në të njëjtën kohë është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, po
shto kësaj është rezoluta e fundit e parlamentit evropian që dialogu
Kosovë-Serbi në fund duhet ta ketë njohjen reciproke, i jep një fuqizim Kosovës
dhe kryeministrit Kurti që në njëfarë forme mos të frikësohet nga dialogu me
Serbinë. Por, të jetë më pragmatik sepse në fund ky dialog do të përfundojë me
njohje midis dyja vendeve apo palëve që janë në mosmarrëveshje, në këtë rast midis
Kosovës dhe Serbisë”.

Sa i përket
manastirit të Deçanit, ai thotë se asnjë qeveri kosovare nuk ka tjetër zgjidhje
pos zbatimin e vendimit, sado që mund të jetë i padrejtë.

“Sa i përket
manastirit të Deçanit, sigurisht që jo vetëm Qeveria Kurti, por çdo qeveri
tjetër në njëfarë forme nuk ka opsion tjetër përveç zbatimit të atij vendimi
sepse sado që ai vendim është i padrejtë, është vendim i cili ka marrë një
verdikt nga Gjykata Kushtetuese dhe në njëfarë forme edhe bashkësia
ndërkombëtare thirrjen që e ka bërë ta zbatojë atë marrëveshje ka qenë mbi këto
premisa”.

Për arritjen e
marrëveshjes përfundimtare, Sadiku thotë se nuk dihet se kur mund të ndodhë.

“Ne nuk mund të themi me saktësi dhe nuk është i lehtë përcaktimi që të themi se do të ndodhë këtë vit apo vitin e ardhshëm një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ne mund të konstatojmë se gjendja dhe momentumi që është krijuar pas luftës Ukrainë-Rusi është më e madhe dhe në favor të Kosovës”.

You may also like