“Ambientimi i vështirë, por po argëtohem”, Bellingam: Po zbres në fushë si tifoz i Realit!

by admin
Spread the love

Xhud Bellingam ka qenë pa dyshim një figurë kryesore te Reali i Madridit që në sezonin e tij të parë me “los blancos”. Ai iu bashkua ekipit të Ançelotit në verën e vitit të kaluar nga Dortmundi për 103 milionë euro. Por teksa sezoni po i drejtohet fundit, Bellingam duket sikur ka një jetë në Madrid, teksa përshtatja me lojën e Realit ka qenë e menjëhershme. Mesfushori i kombëtares angleze ka dhënë një intervistë për “Sky Sports”, ku ka folur për shumë tema dhe për objektivat e tij me Realin dhe kombëtaren angleze.

OBJEKTIVAT — “Titujt, trofetë pa dyshim! Dua të jem në gjendje që t’i jap vendit tim (Anglia) dhe ekipit tim, Realit të Madridit, përvoja të shkëlqyera dhe kujtime të shkëlqyera me ngritjen e trofeve”.

20 GOLA ME REALIN — “Përpiqem të zbres në fushë për të bërë punën time dhe për të ndihmuar ekipin të fitojë ndeshjet. Njerëzit e pëlqejnë stilin tim të lojës. Unë lëviz me topin dhe kjo është mirë. Përpiqem të lidhem me tifozët, derisa jam duke luajtur. Dua që tifozët të ndihen sikur unë jam një tifoz, jam njëri prej tyre, që luaj për ta dhe i përfaqësoj, sepse në fund të fundit për këtë bëhet fjalë. Nëse ata mund të më shikojnë mua dhe të shohin dikë tek i cili e shohin veten dhe na mbështesin, atëherë kjo ndihmon në ngritjen e ekipit gjithashtu. Dhe mbështetja e tyre do të thotë shumë për ne. Kur vendi është pozitiv, lojtarët janë pozitivë dhe tifozët janë pozitivë, skuadra do të luajë më mirë”.

ËNDRRAT BËHEN REALITET – “Zgjohem dhe më duhet të përmbaj veten kur jam duke luajtur me Anglinë në ‘Uembli’ ose me Realin në ‘Bernabeu’. Nuk e kisha ëndërruar kurrë diçka të tillë kaq shpejt, por u jam mirënjohës të gjithëve që kanë marrë pjesë në rrugën time.”

SEZONI – “Të them të drejtën përshtatja në Spanjë ka qenë shumë, shumë e vështirë. Por besoj se ia kam dalë ndonëse jo pa probleme. Por tani ndihem mjaft mirë me jetën në Spanjë, tani po argëtohem vërtet. Nga ana tjetër jam i lumtur për përshtatjen time me Realin e Madridit. Sigurisht që të luash për këtë klub është përgjegjësi e madhe. Unë po përpiqem ta absorboj përgjegjësinë, të shijoj përvojën, të përmirësohem dhe të rritem”.

ATMOSFERA TE ANGLIA – “Kur flas me Hendon (Xhordan Henderson) ai më tregon shumë se sa me fat jam që jam në ekip me një atmosferë kaq të mirë. Është pak më ndryshe se kur ai luajti në fillim. Mundohem ta dëgjoj shumë, sepse ai është një lloj modeli për mua. Më ka ndihmuar të integrohem në ekip dhe të menaxhoj me përgjegjësi veten”.

MJEDISI – “Familjen e kam gjithnjë pranë. Ndonjëherë më duket vetja i përkëdhelur, por familja dhe miqtë e afërt më mbajnë me këmbë në tokë”.

PANORAMASPORT.AL

You may also like