AlternAtivA: Propozojmë amendament kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos vjetrohen kurrë

by admin
Spread the love

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi ka propozuar amendament kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos vjetrohen kurrë.

 

Të nderuar,

Alternativa po e ndjek me kujdes të veçantë debatin për ndryshimet eventuale kushtetuese që, përveçse kanë të bëjnë me vazhdimin e procesit euro-integrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, synojnë ta bëjnë edhe mënjanimin e kualifikimit të padinjitetshëm të gjuhës shqipe në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me këtë rast po theksojmë se Alternativa dakordohet plotësisht se koncepti i ndërtimit të shtetit, i definuar në kushtetutën aktuale, tashmë është tejkaluar dhe nuk mund të vazhdojë akoma formulimi aktual ofendues normativ, që gjuha shqipe të përkufizohet me përqindje.

Partitë politike duhet t’i tejkalojnë të gjitha barrierat, që përveçse do ta rrisin besimin e ndërsjellë, do të kontribuojnë edhe për krijimin e mekanizmave të rinj për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Debati për këtë temë duhet të zhvillohet me kujdes, duke mos lënë hapësirë që procesi i shlyerjes së formulimit “gjuha që e flasin më shumë se 20%” në kushtetutë të ketë fitimtarë dhe humbës. Thjesht, kjo duhet të ndodhë me pajtueshmëri unanime të të gjithëve.

Ne jemi të bindur se secila qasje tjetër do të duket si shantazh, si një veprim populist për poentime politike, që do të ketë efekt të kundërt. Nuk na ka hije tashmë që si anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe si vend që i ka filluar negociatat për anëtarësim të plotë në BE, që përmes këtij procesi të hapë plagë të reja, që vështirë do të shërohen.

Që të jemi të qartë,AlternAtivA, siç e kemi thënë disa herë, është kundër përpjekjeve për mohimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e kësaj teme për bashkëqytetarët tanë. Prandaj, përmes qasjes inkluzive, dëshirojmë që t’i mirëkuptojmë dhe t’i zgjidhim të gjitha shqetësimet e qytetarëve tanë.

 

Të nderuar,

Nja nga brengat tona të përbashkëta, që shkon përtej dallimeve etnike, religjioze ose politike, e që na mundon të gjithëve dhe nuk lejon përparimin e vendit, pa dyshim është lufta kundër korrupsionit. Ne të gjithë e dimë se shumë politikanë kur marrin një pozitë, kanë një status modest financiar, ndërsa kur e përfundojnë detyrën, dalin si pasanikë që nuk ia dinë fundit pasurisë së tyre. Kjo temë, në fakt, ka qenë edhe ndër pikat e marrëveshjes sonë politike për inkuadrim të Alternativës në qeveri.

Prandaj, edhe në frymë të këtij dakordimi, qëllimi ynë është të krijojmë mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjëdhënës, ekzekutiv dhe në pushtetin lokal, të cilët duke abuzuar me pushtetine tyre, në mënyrë të paligjshme janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Nuk mund të tolerojmë edhe më që politika të jetë biznesi më profitabil në këtë shtet. Ose do t’u shërbejmë qytetarëve, në plotkuptim e fjalës, ose do të shndërrohemi në shtet të braktisur. Kështu siç jemi aktualisht, të gjithë të rinjtë do të ikin nga ky vend dhe askush nuk do të kthehet më këtu.

Kjo është arsyeja që AlternAtivA sot del me propozimin e saj për ndryshimet kushtetuese, duke qenë e bindur se ky propozim do t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një amendament kushtetues që do ta afrojë Maqedoninë e Veriut edhe më shumë me Bashkimin Europian.

Duke u konsultuar me ekipet juridike të Alternativës, sot po dalim me propozim-tekst për amendament kushtetues, të cilin prej sot po e hedhim në debat të gjerë edhe me ekspertët juridikë dhe partitë e tjera politike.

Propozimi i Alternativës është ky:

Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme.

Arsyetimi:

Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Amendamenti do të jetë paragrafi nr. 5 i këtij neni, i cili do të vijojë pas paragrafit nr. 4, në cilin parashikohet se: “Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët”. 

Amendamenti i propozuar do të jetë bazë e cila do të krijojë mundësi për ndryshime dhe plotësime me nen të ri nr. 112-a në Kodin Penal, që aty të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale nga personat e zgjedhur ose te emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, asnjëherë të mos mund të vjetrohen. Kjo nënkupton edhe zgjerimin e përfshirjes së konfiskimit të pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme edhe nëse është regjistruar në emër të personave të tretë. 

Me këtë amendament do të krijohet bazë e mirë kushtetuese për revidimin e të gjitha procedurave gjyqësore për persona që tash ose më herët janë zgjedhur ose emëruar, e të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetrimit eventual të përgjegjësisë penale.

Në të vërtetë, ky amendament do të jetë në frymën e kërkesave të qytetarëve për të pasur sundim të së drejtës, siguri juridike dhe barazi para ligjit dhe para procedurave gjyqësore të të gjithë personave të emëruar ose të zgjedhur, të cilët me propozim të partive politike, që kanë pasur ose aktualisht kanë funksione në pushtetit ligjëdhënës, ekzekutiv dhe lokal, kanë abuzuar ose abuzojnë me ndikimin e tyre dhe kanë ushtruar ose ushtrojnë presion për prolongimin e procedurave kundër tyre derisa ato të vjetrohen.

Ne mendojmë se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për çrrënjosjen e veseve jashtëzakonisht të liga për korrupsion politik dhe evitim të drejtësisë me përpjekje për ndikim në gjyqësor, janë kancer i shoqërisë, që edhe politikën e shndërrojnë në profesionin më të urryer.

Ne jemi brezi i politikanëve që patjetër duhet të punojmë për kthimin e besimit dhe shpresës se, megjithatë, mund të bëhet më mirë. Për dallim nga oponentët tanë, që kanë mbetur të ngujuar në të kaluarën, AlternAtivA është parti e së ardhmes!

Në këtë kontekst, në periudhën që vijon do të kem një varg konsultimesh të gjera me të gjithë faktorët relevantë shoqërorë, kjo me qëllim që të sigurojmë mbështetje sa më të madhe konsensuale për realizimin e këtij propozimi të Alternativës.

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës

Shkup, 29.10.2022

 

You may also like