Alarmet për bomba në shkolla lënë pa mësim nxënësit

by admin
Spread the love

Alarmet për vendosje të mjeteve shpërthyese nëpër shumë shkolla në Maqedoninë e Veriut tash e disa muaj, po bëhen gjithnjë e më të pamenaxhueshme për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, janë vënë në shënjestër të paralajmërimeve për vendosje bombash në shkolla dhe në institucione shtetërore, në rezidencën e presidentit Stevo Pendarovski, si dhe në qendra tregtare.

Mësimdhënësit thonë se nuk arrijnë të realizojnë njësitë mësimore të parapara në plan-programin mësimor, për shkak të humbjes së orëve si pasojë e alarmeve për vendosjen e bombave në shumë shkolla fillore dhe të mesme. Që të gjitha alarmet kanë rezultuar të rreme.

“Ne patëm një dramatizim të pjesëve nga drama ‘Tartuf’, në mënyrë që nxënësit të mund të dëgjonin tekstin, të shihnin personazhet, të shihnin se çfarë është aktrimi, çfarë është një shfaqje, që ata të mund të hyjnë në brendinë e roleve që i lexojnë, por kjo nuk mund të arrihet përmes mësimit në distancë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Biljana Kostova, profesoreshë e Gjuhës maqedonase në shkollën e mesme “Nikolla Karev” në Shkup.

Orët humbura ulin cilësinë e arsimit

Ndërprerja e procesit arsimor fillimisht për shkak të pandemisë dhe, së fundmi, si rrjedhojë e orëve të humbura nga paralajmërimet për vendosje të bombave në shkolla, e ka ulur dukshëm cilësinë e arsimit. Cikli i ndërprerjeve të mësimit te nxënësit e ka ulur vullnetin për të mësuar, thotë Satki Ismaili, mësues i Matematikës në shkollën fillore “Qirili dhe Metodi” në Tetovë.

“Se ka rënë dukshëm kualiteti i arsimit gjatë viteve të fundit, këtë e dëshmojnë dhe hulumtimet ndërkombëtare, pra testi PISA që kishim. Ne ndërtojmë një gjeneratë, e cila nuk është arsimdashëse, nuk sheh perspektivë përmes mësimnxënies. Tash shohim se kemi një gjeneratë, e cila deklarohet se shkollën nuk e do edhe aq, kundrejt Japonisë ku mbi 90 për qind e nxënësve atje deklarohen se në shkollë shkojnë me kënaqësinë më të madhe”.

“Këtu te ne një pjesë bukur e madhe nxënësve gëzohen kur marrin informacionin se nuk do të ketë mësim në shkollë pasi ka paralajmërime për bomba. Kjo është shqetësuese për atë çka i ndodh kësaj gjenerate andaj duhet ngritur zëri si nga ne mësimdhënësit, prindërit që institucionet sa më parë të gjejnë zgjidhje pasi më vonë do të jenë të pandreqshme pasojat për këtë gjeneratë”, thotë Ismaili.

Gjatë javës së kaluar brenda një dite të vetme organet e policisë në Shkup kanë evakuuar personelin dhe nxënësit nga 14 shkolla për shkak të alarmeve që kishin marrë përmes postës elektronike për vendosjen të bombave.

Autoritetet kanë theksuar se paralajmërimet për vendosjen e bombave kanë përfshirë 60 shkolla dhe një kopsht për fëmijë.

Paralajmërimet për bomba rëndojnë gjendjen psikike të fëmijëve

Aida Ziberi, nënë e dy fëmijëve, njëri në kopsht dhe tjetri në shkollë, thotë se për të është bërë makth organizimi i ditës pasi nuk e di nëse fëmijët e saj do të mbajnë mësim.

“Fatkeqësisht, kohëve të fundit po ndodh një fenomen i çuditshëm me paralajmërimin për alarme për vendosje bombash nëpër objektet shkollore. Kjo gjë po na shqetëson tej mase, na shpërqendron dhe na dezorienton në programimin dhe kryerjen e obligimeve ditore. Rrjedhimisht, na imponon të dalim jashtë skemës organizative”, thotë ajo.

Marina, nënë e një nxënëseje në klasën e tretë në Shkup, thotë se ndërprerja e mësimit për shkak të alarmeve për vendosje të bombave e rëndojnë gjendjen psikologjike të fëmijëve.

“Çdo tingëllim i ziles fëmijëve u shkakton stres. Mendoj se do të jetë e nevojshme të punohet shumë me nxënësit pas ngjarjeve të tilla, që të mos ketë pasoja afatgjata në shëndetin mendor të tyre, sepse fatkeqësisht kjo po ndodh prej muajsh dhe ndikon në psikikën e fëmijëve, por dhe te të rriturit”, thotë Marina.

Mësim në distancë për t’i kompensuar orët e humbura

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka rekomanduar që gjatë ditëve që ka paralajmërime për vendosjen e bombave, për të shmangur humbjen e orëve, mësimi të organizohet në distancë.

Por, prindërit kanë shprehur dyshime për sa i përket mësimit në distancë.
“Kam shumë dyshime për sa i përket mësimit në distancë”, thotë Marina.

Nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme kanë theksuar se si rrjedhojë e paralajmërimeve për vendosjen e bombave, në disa shkolla nxënësit tashmë kanë humbur 10 javë nga procesi arsimor.

“Sulme terroriste hibride që vijnë nga jashtë”

Deri më tani nuk dihet se kush janë autorët e kërcënimeve për bomba, të cilat kanë rezultuar të rrejshme porse kanë shkaktuar kaos në funksionimin e shkollave po edhe institucioneve të shtetit, si dhe qendrat tregtare.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, paralajmërimet për bomba, të cilat kanë filluar menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, i ka cilësuar “sulme terroriste hibride” që vijnë nga jashtë.

Maqedonia e Veriut u bë pjesë e NATO-s në vitin 2020, ndërkohë synon integrimin në Bashkimin Evropian me hapa të përshpejtuar kundrejt sfidave që e përcollën këtë proces me vendet fqinje që janë pjesë e BE-së, si Greqinë dhe së fundmi, me Bullgarinë.

Raportet mes Shkupit dhe Moskës zyrtare u përkeqësuan pas angazhimit të Maqedonisë së Veriut për t’u integruar në strukturat euroatlantike pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Në mars të vitit të kaluar, Moska e futi Maqedoninë e Veriut në listën e “vendeve jomiqësore”, pasi Shkupi zyrtar iu bashkua sanksioneve perëndimore për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe zyrtarë të tjerë të lartë maqedonas të paktën publikisht kanë shmangur fajësimin e drejtpërdrejtë të Moskës ose rusëve për sa i përket kërcënimeve me bomba.

Por, gjatë këtij muaji, kërcënimet me bomba Kovaçevski i ka ndërlidhur me sulmet e fundit kibernetike dhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Ministri i Brendshëm, Spasovski, ka theksuar se institucionet tashmë e kanë idenë e origjinës kërcënimeve me bomba, duke bërë të ditur se “partnerët” e NATO-s dhe autoritetet e vendit punojnë për zgjidhjen e këtij problemi.

Jonormalja po bëhet normale

Nga Unioni i nxënësve të Shkollave të Mesme, thanë se mësimi online nuk guxon t’i zëvendësojë të gjitha aspektet e procesit arsimor:

“Duhet bërë një dallim midis mësimdhënies në internet si mësim shtesë për atë që ka humbur dhe asaj që [Ministria e Arsimit dhe Shkencës] ofron, do të thotë mësimdhënien në internet si një zëvendësim për të gjithë procesin arsimor”.
Ndërkohë, mësimdhënësit në rreth 1.200 shkollat fillore dhe të mesme të vendit vazhdojnë të shqyrtojnë mundësitë për t’i kompensuar orët humbura mësimore.

“Nxënësit në fillim ishin të frikësuar nga kërcënimet me bomba, por në këtë moment ‘është bërë normale’, gjë që nuk është normale”, thotë Kostova, profesoreshë e Gjuhës maqedonase.

Profesor Ismaili konsideron se shteti duhet të kërkojë ndihmë dhe situatën ta vendosë nën kontroll sa më parë:

“Ashtu siç e zgjidhën vendet e rajonit brenda një afati kohor të shkurtër, edhe në Maqedoninë e Veriut duhet të vendoset sa më parë organizimi i rregullt i procesit arsimor, në të kundërtën do të mbetet një vakum i madh i dijes te gjeneratat e reja”./REL







Artikulli paraprakVuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë




You may also like