“Abissnet Superiore” / Vllaznia-Partizani supersfida e ditës, luhet edhe Tirana-Laçi e Erzeni-Egnatia  

by admin
Spread the love

“Abissnet Superiore” do të ngrejë sot siparin e javës së shtatë me sfida mjaft interesante. Në ekranin e Oversport do të keni mundësi të ndiqni tre duele, të cilat do të shoqërohen edhe nga emisioni “Ti bo gol” me analizën profesionale të opinionistëve tanë dhe intervistat e trajnerëve dhe lojtarëve direkt nga fusha e lojës.

Kështu, dy ndeshjet e para do të luhen në orën 15:00. Tirana do të përballet me Laçin në një sfidë ku të dyja ekipet kërkojnë fitore. Bardheblutë vijnë nga fitorja në derbi dhe kërkojnë vazhdimësinë për të konfirmuar veten. Nga ana tjetër Laçi i vendit të fundit është në kërkim të pikëve dhe një fitore përballë Tiranës do të ngrinte lartë moralin.

Sfida tjetër e orës 15:00 është ajo midis Erzenit dhe Egnatias. Shijakasit pësuan në ndeshjen e fundit edhe humbjen e parë në këtë edicion të “Abissnet Superiore” dhe duhet të tregojë se ka forcë reagimi. Egnatia ndërkohë nuk ka asnjë humbje në katër ndeshjet e fundit dhe ndaj Erzenit kërkon të vazhdojë këtë trend.

Supersfida e ditës ndërkohë vjen në orën 17:45. Vllaznia dhe Partizani do të përplasin “brirët” në një duel që premton emocion dhe spektakël. Në “Loro Boriçi”, shkodranët kërkojnë të përfitojnë nga morali i ulët i Partizanit që u mposht në derbi një javë më parë. Në kampin e kuq ndërkohë kërkohet një reagim pas zhgënjimit në derbi dhe një fitore ndaj Vllaznisë do të tregonte karakter dhe forcë për kryeqytetasit. /oversport.tv

You may also like