A u keqpërdor kryeministri i Kosovës për politika ditore? Gashi: Ky është ofendimi më i madh që mund t’ia bëni Kurtit

by admin
Spread the love

Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, shkaktoi reagime të shumta në skenën politike, veçanërisht pasi ai ishte mysafir në dy komuna të udhëhequra nga opozita. Ndonëse për zv.kryeministrin Artan Grubi, Kurti është i mirëseardhur në Maqedoni, ai gjithsesi konsideron se partitë politike dhe individë të caktuar po përpiqen ta keqpërdorin imazhin e tij për pikë politike.

Tjetër gjë është se sa parti të tjera politike, individë të tjerë mundohen ta keqpërdorin z.Kurti dhe vizitën e z.Kurti për agjendat e tyre politiko ditore por këto i shohin qytetarët”, theksoi Artan Grubi – zv.kryeministër i parë.

I të njejtit mendim është edhe kryeministri i vendit Dimitar kovaçevski.

“Këtë herë bëhet fjalë për një ide e cila është shumë më herët, para vizitës së Kurtit në Çair dhe Tetovë, e ku mendoj se njeriu u keqpërdor të jem i sinqertë për qëllime politike ditore të këtyre dy kryetarëve të komunave të cilët duan të etablohen në skenën politike”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Por për kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, i cili njëherit ishte gjithashtu i ftuar atë ditë në dy ngjarjet në Çair e Tetovë, konsideron se qëndrimet e tilla janë ofendim për kryeministrin Kurti përshkak vlerave intelektuale që ai ka. Me këtë Gashi thotë se ofendohet edhe Kurti por edhe 50% e qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë votuar atë.

“Unë mendoj që ofendimi më i madh që mund t’ia bëni një kryeministri siç është Albin Kurti është t’i thoni atij se dikush po u keqpërdorë. Një fëmijë shtatë vjeçar mund të pretendoni se mund ta keqpërdorni, ama një kryeministri siç është Albin Kurti dhe vlerat e tij intelektuale dhe shkathtësinë e tij që e ka, t’i thuash atij se dikush po të keqpërdorë është ofendimi më i madh që mund t’ia bëni edhe atij edhe popullit të Kosovës që e ka votuar. Ashtu ju i ofendoni edhe 50% të kosovarëve që e kanë votuar atë njeri”, pohoi Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.

Përndryshe për organizimet në Tetovë e Çair, padi kundërvajtëse morën kryetarët e dy komunave, Bilall Kasami e Visar Ganiu. Të njejtët akuzohen se nuk vendosën flamurin e shtetit dhe nuk intonuan himnin e Maqedonisë. E gjithë kjo tollovi që u shkaktua pas ardhjes së kryeministrit Kurti në Maqedoni, për presidenten e Republikës së Kosovës është thjeshtë një keqkuptim i cili mund të rregullohet.

You may also like