A ndikojnë marrëdhëniet mbi shëndetin tonë fizik?

by admin
Spread the love

Nga Sara Novak

Marrëdhëniet  që zgjidhni në jetë, nuk ndikojnë vetëm mbi shëndetin tuaj mendor. Stresi apo lumturia që sjellin ato, ndikon gjithashtu edhe mbi shëndetin tuaj fizik afatgjatë dhe afatshkurtër. Studiuesit po zbulojnë se cilësia e marrëdhënieve tona me partnerët, anëtarët e familjes dhe miqtë tanë mund të jetë po aq e rëndësishme, ose në disa raste, më e rëndësishme për shëndetin e njeriut, sesa zakonet si pirja e duhanit, dieta, stërvitja dhe pirja e alkoolit.

Njerëzit janë qenie shoqërore të destinuara të punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Rrjedhimisht, mirëqenia jonë është e lidhur ngushtë me këto ndërveprime gjithnjë e më të rëndësishme.

Po çfarë quhet një marrëdhënie e shëndetshme?

Rozi Shraut, ndihmës/profesore në zhvillimin njerëzor dhe shkencën e familjes në Universitetin Pardju, thotë se një marrëdhënie e shëndetshme mund të ndryshojë në mënyrën se si është dikush në aspektin shëndetësor.

Por në përgjithësi, marrëdhëniet lulëzojnë kur çiftet kanë një komunikim të hapur. Në raste të tilla, ata janë në gjendje të përballojnë më mirë stresin dhe janë më të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe ndjenjave të partnerëve të tyre.  “Çiftet e mira mund të bëhen edhe më të fortë kur kalojnë periudha të vështira”- thotë Shraut.

Përfitimet shëndetësore të një marrëdhënieje të mirë

Shumë kërkime kanë treguar se cilësia e marrëdhënieve tona, ndikon tek disa rezultate shëndetësore, thotë  Hui Liu  profesor i sociologjisë dhe drejtor i Laboratorit të Shëndetit të Familjes dhe Popullsisë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, SHBA.

Një studim i marsit të këtij viti, i botuar në revistën për Shkencën Sociale Psikologjike dhe Personaliteti vëzhgoi 4005 pjesëmarrës, të cilët iu nënshtruan çdo 3 ditë kontrolleve për presionin e gjakut, rrahjet e zemrës, stresin dhe përballimin e tyre, duke ofruar gjithashtu vlerësime mbi marrëdhëniet e tyre.

“Njerëzit me më shumë përvoja pozitive, dhe më pak përvoja negative në marrëdhëniet e tyre, raportuan më pak stres, një përballje më të mirë me to si, dhe një reaktivitet më të ulët të presionit sistolik të gjakut, duke çuar në një funksionim më të mirë fiziologjik në jetën e përditshme”- shkruajnë autorët e studimit.

Për më tepër në Shtetet e Bashkuara, martesa është e lidhur me rezultate të tjera të rëndësishme shëndetësore, që nuk kanë të bëjnë fare me stresin biologjik. Për shembull, qasja tek sigurimet shëndetësore, përfitimet, përjashtimi nga taksat, strehimi dhe rezultate të tjera të rëndësishme janë pozitive për shëndetin tonë.

Marrëdhëniet toksike dhe shëndeti juaj

Ana tjetër e medaljes është se marrëdhëniet me një cilësi të keqe, sjellin efektin e kundërt. “Marrëdhëniet negative shkaktojnë stres dhe tension në trup, dhe mund të rrisin rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare, sëmundjeve kronike dhe mund të shkaktojnë vdekje të hershme”- thotë Liu.

Hulumtimi i Shrout, ka treguar se çiftet që janë më negativë dhe armiqësorë në ndërveprimet e tyre të përditshme, kanë një reaktivitet të rritur kardiovaskular, një përgjigje imunitare dhe  inflamacion më të lartë, si dhe nivele më të larta të kortizolit. Tani studiuesit po përpiqen të zbulojnë se si ndikon kjo drejtpërdrejt tek gjendja shëndetësore.

“Ne e dimë se marrëdhëniet kanë një ndikim të madh tek jetëgjatësia, dhe tani po përpiqemi të ndajmë shenjuesit biologjikë, që mund të nxisin dhe përkeqësojnë problemet shëndetësore”,- thotë Shraut.

Lidhjet sociale dhe shëndeti

Ndërsa kërkimi i Shraut është fokusuar kryesisht tek marrëdhëniet në çift, ajo thotë se tek shëndeti fizik mund të ndikojë gjithashtu cilësia e rrjetit tonë social, si për shembull anëtarët e familjes dhe miqtë.

Një meta-analizë e shtatorit 2021 e botuar në revistën “Frontiers in Psychology”, shqyrtoi ndikimin e vetmisë në shëndetin publik tek individi dhe shoqëria. Sipas studimit, vetmia shkakton aktivizimin e përgjigjeve fiziologjike dhe endokrine që “e kompromentojnë funksionimin normal të organeve, të përfshira dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve dhe vdekshmërisë”.

Si të keni një marrëdhënie të shëndetshme

Si mund ta kuptoni nëse marrëdhënia juaj është aq shumë toksike, sa që është koha për t’u larguar? Sipas Shraut studimet tregojnë se të martuarit e lumtur, jetojnë më gjatë dhe janë më të lumtur sesa beqarët, vejanët apo të divorcuarit. Dhe jo të gjitha marrëdhëniet e këqija janë kauza të humbura.

Këshillimi i çifteve, është një mjet i fuqishëm për përmirësimin e marrëdhënieve dhe hapjen e linjave të komunikimit mes çifteve. Ai ndihmon në forcimin e marrëdhënieve dhe për pasojë në përmirësimin e shëndetit fizik. Por ashtu si një marrëdhënie pozitive është e mirë për shëndetin tuaj, një marrëdhënie e vazhdueshme armiqësore shkakton efektin e kundërt.

Të qëndrosh në një marrëdhënie toksike për të shmangur të qenit vetëm, nuk është ajo që rekomandojnë mjekët. Nëse marrëdhënia është armiqësore dhe negative në shumicën e kohës, ajo ka të ngjarë të ndikojë negativisht mbi trupin tuaj. “Tek e fundit është pjesa më e rëndësishme cilësia e marrëdhënies, dhe jo vetëm statusi si i martuar”,- thotë Shraut. / Discover – Bota.al

You may also like