A mund të ndodhë “zjarr“ edhe në ASH, ja çka thotë Snopçe?

by admin
Spread the love

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në një intervistë për portalin “Frontonline” ka folur për zhvillimet aktuale, ndryshimet kushtetuese në Kuvend, se a mund të ketë ndarje apo “zjarr” në ASH, me kë do të koalicionojnë dhe tema tjera.

Zoti Snopçe, ndryshimet kushtetuese hynë në procedurë parlamentare, a po prisni që VMRO-DMNE të reflektojë dhe ti votojë?

Snopçe: Nuk mund të them a do ti votojnë apo jo. Në mbledhjen e Komisionit kushtetues votuan kundër nevojës. Do të shohim si do të vendosin. Unë vetëm mund të bëj ftesë të mendojnë në interes të shtetit. Në këtë moment votimi për ndryshimet kushtetuese dhe nisja e bisedimeve për antarsim në UE paraqesin një konjuksion logjik që shkojnë së bashku. Këto dy gjëra nuk mund ta përjashtojnë njëra tjetrën. Do të thotë nuk janë disjunkte. Nuk mund të nisin bisedimet nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese. Nëse ka mënyrë tjetër për nisjen e bisedimeve le të tregojnë nga VMRO-ja. Edhe në komision thanë se nuk do të përkrahin ndryshimet nën diktatin bullgar, por nuk treguan se çka është alternativa. VMRO deri më tash në të gjitha argumentet që i përdor po imponon një qasje disjunktive. Ose rezistenca ndaj ndryshimeve kushtetuese do të mbrojë identitetin nacional, ose votimi i ndryshimeve kushtetuese do të rezikojë identitetin nacional. Pra, kjo është teza e tyre që këto dy gjëra nuk shkojnë bashkë. Unë jam idhtar dhe fuqishëm besoj në qasjen konjuktive, e ajo është që këto dy gjëra po shkojnë bashkë. Pse? Për arsye se mendoj që antarsimi në UE është garancë për forcimin e shtetit. Nëse forcohemi si shtet atëherë edhe identiteti në asnjë mënyrë nuk mund të rezikohet. Do të hyjmë në shoqërinë e shteteve të tjera të forta dhe kur të antarsohemi edhe Gjuha maqedone do të jetë njëra nga gjuhët zyrtare e Unionit Europian. Unë nuk shoh garancë më të madhe se kjo.

Shikoni, ne si shtet asnjëherë nuk kemi qenë në pozitë më të mirë nga këndvështrimi ndërkombëtar. Unë jam deputet dhe kam përshtypjen se e gjithë bota po meret me ne. Gati se çdo javë na vijnë kryetarë, kryeministra, ministra të punëve të jashtme duke na dhënë përkrahje dhe duke na inkurajuar për të sjellur këtë vendim të rëndësishëm. A kemi pyetur veten ndonjëherë për pozitën tonë në këto raporte botërore, për “peshën tonë specifike” në kuadër të problemeve globale, për gjeopolitkën globale, bile edhe për pozicionin tonë në raportet globale por edhe Ballkanike dhe Europiane. Nëse shohim kështu, asnjëherë nuk kemi qenë në qendër të vëmendjes. Me fjalë të tjera kemi qenë jashta fokusit të tyre. Por tani është ndryshe. Po vijnë të gjithë, na japin përkrahje. Kur kryetari i Komisionit Europian të thotë se Gjuha maqedone nuk është e rezikuar, kur kryetarë dhe kryeminstra vijnë tek ti dhe të japin garanca të ngjashme, atëherë unë nuk mendoj se ato nuk po thonë të vërtetën, por e shoh si një angazhim dhe garancë, prandaj edhe duhet tu besojmë.

Çka nëse nuk votohen?

Snopçe: Tek unë ende mbizotëron shpresa që ndryshimet kushtetuese do të votohen sepse nuk shoh alternativë tjetër për të ardhmen e shtetit. VMRO-DPMNE në radhët e saj ka shumë njerëz të mençur dhe mendoj që ato do të arrijnë ti bindin të tjerit që për momentin mendojnë ndryshe.

Në partinë tuaj ka dallime në lidhje me partneritetin me BDI-në. A mund të presim bashkëpunim zgjedhor me BDI-në?

Snopçe: Hyrja jonë në qeveri ka qenë me qëllim të nxitjes së procesit Eurointegrues. Po qe se nuk hynim në qeveri, atëherë viti 2023 në vend që të ishte viti i nisjes së negociatave, do të ishte vit zgjedhor dhe gjithçka do të ishte e bllokuar. Këtë na sugjeronin edhe miqtë tanë ndërkombëtar. Ne kemi qenë kritikues të ashpër të qeverisë. Ne jemi të vetëdishëm se ka afera koruptive, skandale, dhe të ngjashme, por përsëri vlerësuam se orientimi Europian është e rëndësisë primare. Siç kam thënë edhe me një rast tjetër, vendosëm që nëpërmjet patriotizmit institucional të inicojmë dhe të mundohemi të zgjedhim çështje të interesit të përgjithshëm. Të tregojmë se me ndershmëri dhe profesionalizëm, respektivisht me dije të vërtetë disa çështje që në shiqim të parë duken të komplikuara, mund të zgjidhen në mënyrë shumë të thjeshtë. Mendoj që ka edhe shembuj konkret në këtë periudhë katër mujore nga ana e ministrave tanë. Pra, të përfundoj, ne nuk kemi hyrë në qeveri për të patur partneritet me BDI-në, por ne kemi marrë disa përgjegjësi për të ardhmen e shtetit që të mos na përsëriten skenarë si ajo e Bukureshtit gjatë regjimit udhëhequr nga Gruevski. Në lidhje me zgjedhjet e radhës aspak nuk kemi menduar si parti dhe do të përmbahem nga përgjigja. Prioritet e kemi agjendën Europiane dhe disa rezultate konkrete në resoret që udhëhiqen nga ana e ministrave tonë. Nëse ju duhet mendimi im personal, atëherë ai për momentin është se duhet të dalim në zgjedhje vet si parti. Nga përvoja e së kaluarës, si Aleancë për Shqiptarët, edhe pse kemi sakrifikuar duke dalë në koalicion me parti të tjera, por realisht nuk ka rezultuar si e dobishme. Prandaj, personalisht mendoj se është koha të dalim vet në zgjedhje. Por nënkuptohet, Aleanca për Shqiptarët e ka liderin e saj, ka organe partiake dhe forume partiake që do ta sjellin vendimin kur të vjen koha për të.

A mund të ndhodhë „zjarr“ edhe në Aleancën për Shqiptarët?

Snopçe: Ka një thënie që thotë mos gjykoni dhe mos sillni përfundime për dikë sipas asaj çka thotë, por shihni se si e ka sjelljen dhe si vepron. Unë mendoj se gjithsecili, pra edhe ju si gazetar, keni pasur mundësi që konkretisht për Aleancën për Shqiptarërt të shihni se pavarsisht thashethemeve, ne kemi qenë partia e vetme kompakte dhe e unifikuar. Kjo ka qenë ashtu edhe gjatë kohës kur ishim në opozitë edhe tash kur kemi marrë përgjegjësitë tona edhe në qeveri. Pa asnjë lloj problemi e bëmë tranzicionin në lidershipin e partisë. Zoti Sela si ish lider i partisë vazhdon të jetë një ndër shtyllat krysore të partisë. Grupi parlamentar ka qenë dhe vazhdon të funksionojë në mënyrë kompakte si një trup i unifikuar. Por nënkuptohet se pyetja është legjitime për shkak se jemi të prirur të besojmë që asnjë parti nuk mund të jetë imune nga ndodhitë nëpër partitë tjera politike tek ne. Çka është ajo që po ndodh tek partitë tjera politike? Unë do të kisha thënë një orgji e vërtetë politike.

Partinë tonë e akuzojnë se e kemi shpëtuar BDI-në, por arkivat historike e vërtetojnë të kundërtën. Lëvizja BESA pati mundësi ta çojë në opozitë BDI-në në vitin 2020, por atëherë doli me listë të përbashkët me LSDM-në dhe nuk u reshtua me opozitën dhe vnedosi ta mbajë në pushtet BDI-në. Kur mblodhëm 61 nënshkrime për ta çuar përsëri BDI-në në opozitë, ishte deputeti Kastriot Rexhepi i cili shkeli mbi nënshkrimin e tij. Tani ky i njëjti po bashkohet me Izet Mexhitin për ta çuar BDI-në në opozitë. E njëjta vlen edhe për Izet Mexhitin. Ai disa herë ka patur mundësinë që ta “rrëzojë” Artan Grubin, por asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar atë mundësi. Kur në parlament opozita dhe pushteti ngelën me numër të njëjtë deputetësh, 60 me 60, ishte Alternativa që vendosi të hyjë në qeveri duke e thyer marrëveshjen koalicionuese me ne. Edhe kësaj radhe përsëri në favor të BDI-së. Pastaj deputeti Skender Rexhepi si deputet i Alternativës doli i pavarur. Lëvizja BESA e përjashton Kastriot Rexhepin nga partia. E dimë se si u ndanë BESA me Alternativën dhe se si ishte e pamundur për ti bashkuar për të dalur bashkë në zgjedhjet e vitit 2020. Ndërsa tani çka ndodh? BESA, Alternativa dhe grupi i Izet Mexhitit po bashkohen në një front opozitar dhe menjëherë kemi distancim nga sekretari gjeneral i lëvizjes BESA dhe vednimin e deputetit të tyre

Bastri Bajrami se në të ardhmen do të veprojë si i pavarur. E gjithë kjo a nuk ju duket si një orgji politike? Një mishmash i vërtetë. A keni parë diçka të ngjashme tek Aleanca për Shqiptarët? Sigurisht që jo. Ne edhe si pjesë e qeverisë po vazhdojmë të jemi kritikues i fenomeneve negative dhe nuk do të hekim dorë nga kjo.

A ekziston mundësia që Aleanca të kyçet në bllokun opozitar me Besën, Alternativën dhe grupin e Izet Mexhitit?

Snopçe: Në lidhje me zgjedhjet e radhës aspak nuk kemi menduar si parti dhe do të përmbahem nga përgjigja. Prioritet e kemi agjendën Europiane dhe disa rezultate konkrete në resoret që udhëhiqen nga ana e ministrave tonë. Nëse ju duhet mendimi im personal, atëeherë ai për momentin është se duhet të dalim në zgjedhje vet si parti. Nga përvoja e së kaluarës, si Aleancë për Shqiptarët, edhe pse kemi sakrifikuar duke dalë në koalicion me parti të tjera, por realisht nuk ka rezultuar si e dobishme. Prandaj, personalisht mendoj se është koha të dalim vet në zgjedhje. Por nënkuptohet, se Aleanca për Shqiptarët e ka liderin e saj, ka organe partiake dhe forume partiake që do ta sjellin vendimin kur të vjen koha për të.

“Fronti Europian“ me SDSM-në apo pa SDSM-në?

Snopçe: “Fronti Europian“ me secilin që sinqerisht angazhohet për instalimiin e vlerave Europiane në shtetin tonë.“- tha ai.

You may also like