A do ta ndezë më shumë konfliktin vrasja e zyrtarit të lartë të Hamasit? Hezbollah: Nuk do të kalojë pa u ndëshkuar

by admin
Spread the love

Irani tha se vrasja e zyrtarit të lartë të Hamasit, Saleh al Arouri sot në një sulm izraelit me dron në Liban do të ndezë më tej konfliktin me Izraelin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanaani tha se “gjaku i martirit do të ndezë padyshim një valë tjetër në damarët e rezistencës dhe motivimit për të luftuar” kundër Izraelit.

Kanaani dënoi gjithashtu shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.

Hamasi ka fajësuar Izraelin për sulmin në Bejrut, ndërsa Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se shpërthimi vrau katër persona dhe u krye nga një dron izraelit. Izraeli nga ana tjetër nuk e ka komentuar vdekjen e al Arourit.

Hezbollahu tha se shpërthimi që vrau zyrtarin e lartë të Hamasit Saleh al Arouri në Bejrut ishte një “sulm serioz ndaj Libanit”.

Grupi militant libanez, i mbështetur nga Irani, shtoi se vdekja e al Arourit është një “zhvillim i rrezikshëm në rrjedhën e luftës”. Hezbollah shtoi se vrasja “nuk do të kalojë pa përgjigje apo ndëshkim”.

Nga ana tjetër, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich shkroi në platformat e tij zyrtare të mediave sociale se të gjithë armiqtë e Izraelit do të “shkatërrohen”.

Komenti i tij vjen pasi Hamasi tha të martën se një nga zyrtarët e saj të lartë ishte vrarë në një sulm në Bejrutin jugor.

Kurse zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari anashkaloi pyetjen nga një gazetar mbi vdekjen e liderit të lartë të Hamasit.

“Ne jemi të fokusuar në luftën kundër Hamasit”, tha Hagari, duke iu përgjigjur pyetjes gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.

“IDF është në një gjendje shumë të lartë gatishmërie në të gjitha arenat, në mbrojtje dhe në sulm. Ne jemi shumë të përgatitur për çdo skenar”, tha Hagari.

Al Arouri vdiq sot në një shpërthim në një periferi të kryeqytetit libanez. Saleh Al-Arouri ishte një udhëheqës dhe ushtarak palestinez, të cilin Izraeli e konsideron një nga themeluesit kryesorë të Brigadave Al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit, në Bregun Perëndimor të pushtuar.