BRUKSEL, 23 janar /ATSH-DPA/ – Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Valdis Dombrovskis tha se sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve me kontejnerë në Detin e Kuq nuk po ndikojnë ende në çmimin e energjisë ose të mallrave në Evropë.
“Por, kostot e transportit po rriten”, tha sot Dombrovskis pas një takimi jozyrtar të ministrave të Tregtisë së BE-së në Bruksel.
Arsyeja është se kompanitë e transportit detar po i devijojnë anijet e tyre në Kepin e Shpresës së Mirë të Afrikës. Rruga e Detit të Kuq është më e shkurtra midis Azisë dhe Evropës.
Trafiku në Detin e Kuq kohët e fundit ra me 22% brenda një muaji dhe ka të ngjarë të vazhdojë të bjerë.
“Ndikimi më i gjerë ekonomik, ndikimi në çmimet e konsumit dhe ekonomia e BE-së në përgjithësi do të varet shumë nga kohëzgjatja e kësaj krize”, tha Dombrovskis.
“Tani është e rëndësishme të diskutohen masat për të mbrojtur transportin tregtar në Detin e Kuq”, shtoi komisioneri i Tregtisë së BE-së.
Pas një marrëveshjeje në parim të BE-së, një operacion ushtarak për të siguruar transportin tregtar në Detin e Kuq do të fillojë muajin e ardhshëm dhe do të ndihmojë në përfundimin e sulmeve ndaj anijeve nga militantët islamikë Houthi nga Jemeni.
Operacioni i BE-së do të jetë i pavarur nga operacioni i vazhdueshëm i nisur nga SHBA-ja dhe BM-ja të mbështetur nga disa vende të tjera, për të sulmuar bazat e Houthi që lobojnë raketat në anijet tregtare.//a.i/