5 vite që nga Marrëveshja e Prespës. Zaev: Fituam stabilitet! VMRO-DPMNE: Nuk fituam asgjë

by admin
Spread the love

Sot bëhen 5 vite që nga dita kur vendi mbylli kontestin 27 vjeçar që kishte me Greqinë në lidhje me përdorimin e emrit “Maqedoni”. Maqedonia e Greqia nënshkruan një marrëveshje sipas të cilës Republika e Maqedonisë u riemërua në Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia u bë maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjuha mbeti “maqedonase”.

Ndër të parët që ka reaguar sot mbi Marrëveshjen e Prespës ishte ish-kryeminsitri Zoran Zaev. Në profilin e tij në Facebook ka shpërndarë disa fotografi me ish-homologun e tij grek Aleksis Cipras dhe ka shkruar se Marrëveshja e Prespës i solli vendit stabilitet dhe siguri.

“Pesë vjet më vonë, jemi dëshmitarë të miqësisë së sinqertë maqedono-greke. Për pesë vjet, Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë ndërtuar një komunitet nga themeli. Mbi këtë themel ne marrim ndihmë nga aleatët tanë evropianë dhe euroatlantikë, mbi këtë bazë jemi udhëheqës të nismave të forta rajonale. Mbi këtë bazë, ne kemi një ekonomi të qëndrueshme, edhe pse për të katërtin vit po luftojmë krizat pandemike dhe energjetike”, pohoi Zoran Zaev, ish-kryeminsitër.

Falë kësaj marrëveshjeje, Maqedonia u bë anëtare e plotfuqishme e NATO-s, kurse mori dritë jeshile edhe për hapje të negociatave për aderim në BE, por përsëri vendi u bllokua nga fqinji tjetër, Bullgaria. Tash 5 vite më vonë vendi ndodhet në situatën e njëjte, përsëri duhet të bëhen ndryshime kushtetuese të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e rrugës evropiane dhe largimin e vetos së Bullgarisë. Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se vendi nuk fitoi asgjë nga marrëveshje, përveç që e humbi emrin.

Me Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia nuk fitoi asgjë, ndërsa e humbi emrin e saj. Me nënshkrimin e marrëveshjes në Nivicë, Maqedonia nuk e mori atë që ju premtua, perspektivën europiane, kurse qytetarët fituan rritje të korrupsionit dhe krimit, shëndetësi të shkatërruar, arsim katastrofal, inflacion dhe ekonomi të shkatërruar, stagnim dhe shkatërrim në çdo fushë të jetës së tyre”, theksoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE.

Zgjidhja e kontestit të emrit normalizoi plotësisht marrëdhëniet politike dypalëshe, të cilat hynë në një rrjedhë normale, ndërsa në tetor të 2021, presidenti Stevo Pendarovski ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi Greqinë dhe u prit me nderime të larta në Athinë, ndërsa më pak se një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes, në prill 2019, kryeministri i atëhershëm grek Aleksis Cipras e vizitoi Shkupin dhe u mbajt Këshilli i parë i Bashkëpunimit i nivelit të lartë, i përbërë nga përfaqësues të dy qeverive, të kryesuar bashkërisht nga kryeministrat.

You may also like