37 akuza për mbajtjen e dokumenteve sekrete, arrestohet Donald Trump

by admin
Spread the love
Presidenti Trump përshëndet nga makina njerëzit në Florida

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump është arrestuar, ndërsa pritet të dalë pas pak minutash në një gjykatë federale në Majemi.

Trump u arrestua për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare në periudhën pasi la Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021. Pasi t’i merren shenjat e gishtërinjve, Trump do të jetë i lirë.

Data e fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij mbetet e paqartë. Disa ekspertë thonë se mund të duhen muaj të tërë që të fillojë dhe se madje edhe mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Megjithë problemet e shtuara me sistemin gjyqësor, Trump është i lirë të vazhdojë fushatën për president dhe është zotuar se do ta vazhdojë fushatën edhe nëse shpallet fajtor.

Pas njohjes me akuzat, Trump pritet të udhëtojë me avion drejt klubit të tij të golfit në Nju Xhersi, ku do të organizojë aktivitetin e parë për mbledhje fondesh për fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Përse akuzohet

Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish-presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.

Një ndihmës i Trump, Walt Nauta, gjithashtu u akuzua në lidhje me pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të marrë dokumentet.

Trump është i pari ish-president që përballet me akuza federale. Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza.

Ai përballet me akuza penale të një natyre tjetër në Nju Jork në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Akuzat ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën bazuar mbi një hetim që filloi pasi ai thuhet se refuzoi përpjekjet e përsëritura të Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet që ai kishte nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që i mbante në Mar-a-Lago.

Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.

21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.

Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.

Trump pretendon se ka patur një urdhër për të çklasifikuar të gjitha dokumentet e zhvendosura nga Zyra Ovale për në rezidencën e tij brenda Shtëpisë së Bardhë.

Por, akuza thotë se ish-Presidenti Trump ishte i ndërgjegjshëm për ligjet në fuqi për informacionin e klasifikuar të sigurisë kombëtare dhe se i shkeli ato me dashje.

Në një rast në korrik 2021, Trump akuzohet se ua tregoi një dokument për një “plan sulmi” një grupi prej katër personash, që nuk ishin të autorizuar të njiheshin me informacione të klasifikuara – një shkrimtari, një botuesi dhe dy punonjësve – në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, duke u thënë atyre se dokumenti ishte “shumë i klasifikuar” dhe “sekret” dhe se ai nuk mundej më ta çklasifikonte atë.

Prokurorët kanë një regjistrim audio të Trumpit duke diskutuar për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara

Në një rast tjetër, në shtator 2021, Trump i tregoi një hartë të klasifikuar një përfaqësuesi të organizatës së tij politike për fushatën elektorale, duke i thënë personit në fjalë se “nuk duhej t’ia tregonte dhe se ai nuk duhej të afrohej shumë” pranë hartës, thuhet në akuzë.

You may also like