26 vite pritje, Tirana në volejboll fiton edhe Kupën e Shqipërisë

by admin
Spread the love

Tirana e volejbollit të meshkujve u shpall kampione e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë e trajnerit Arben Sakos arritën një sukses historik, duke mundur Erzenin në finale dhe rikthyen pas plot 26 vjetësh në kryeqytet trofeun e dytë më të rëndësishëm të rrjetës shqiptare.

Pasi mundën pak ditë më parë të njëjtin kundërshtar, shijakasit, në finalen e Ligës “Gjergj Kastrioti”, Tirana tregoi dhe njëherë supermacinë. Djemtë bardheblu triumfuan këtë herë me rezultatin 3-1. Ekipi i trajnerit Sako luajti më mirë në setin e parë dhe e mbylli me shifrat 25-22.

Në të dytën Erzeni reagoi, duke përfituar nga gabimet e shumta të bardhebluve dhe nga mbështetja masive e tifozerisë shijakase në shkallët e “Feti Borovës”. Për rrjedhojë seti i dytë shkoi në favor të miqve.

Megjithatë Tirana reflektoi në dy setet e tjera dhe shpalosi lojën më mirë, duke fituar me diferencë, 25-14, 25-16 dhe krejt takimin 3-1. Lojtari më i mirë i Kupës u shpall Ledion Martiro, ndërsa në formacionin më të mirë bënë pjesë argjentinasi Lapera, ukrainasi Azarov dhe Kula nga Erzeni, si dhe Lumani, Krist Martiro e kapiteni Ervin Cali përsëri nga bardheblutë. Protagonistët bardheblu u shprehën për Oversport se “Tirana ka sakrifikuar shumë për të mbërritur në këtë ditë, por nuk do të ndalet me kaq”.

Ky është trofeu i katërt i Tiranës së volejbollit për meshkuj, që në këtë sezon ka fituar gjithçka, prej Kupës së Federatës, Kupës Pavarësia, Ligës Gjergj Kastrioti e së fundi Kupën e Shqipërisë. Trofe për klubin kryeqytetas sollën edhe femrat, pasi mundën pastër 3-0 Skënderbeun. Tani dy skuadrat bardheblu mbajnë sytë nga titulli kampion, që do të kompletonte një sezon të jashtëzakonshëm. / oversport.tv

You may also like