2022-shi, rrugëtim rritës i FSK-së, me cak anëtarësimin në NATO (FOTO)

by admin
Spread the love

Forca e Sigurisë së Kosovës është renditur si institucioni më i besueshëm, jo vetëm në sektorin e sigurisë, por edhe në krahasim me institucionet në kuadër të sektorëve të tjerë, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Në raportin “Perceptimet publike për besimin, korrupsionin dhe integritetin e institucioneve publike në Kosovë” për vitin 2022, 83 për qind e të anketuarve kanë besim apo besim të plotë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në krahasim me 9 për qind që kanë pak besim ose aspak besim në këtë institucion të uniformuar, njofton Klankosova.tv.

Forca e Sigurisë së Kosovës e ka ruajtur këtë nivel të lartë besimi për disa vite edhe pse ndërveprimi i saj me qytetarët është më i rrallë në krahasim me institucionet e tjera.

Objektivat dhe arritja e tyre përgjatë vitit 2022

Të arriturat kryesore përgjatë këtij viti pune në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar kanë në fokus katër pika:

Fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës.

Zhvillimi i kapaciteteve ushtarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.

Zgjerimi i bashkëpunimit bilateral dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare.

Mbajtja e kapaciteteve thelbësore në funksion të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile.

Katër objektiva këto, përmbushja e të cilave padyshim se është varur në mënyrë direkte nga ndarja buxhetore për Ministrinë e Mbrojtjes, që për vitin 2022 ishte në vlerë prej 102 milionë e 305 mijë e 450 euro, që i bie rreth 35 për qind vlerë kjo më e lartë se në vitin 2021, 32 për qind më shumë ndarje buxhetore se në vitin 2020, dhe 43 për qind më shumë se në vitin 2019.

Avancimi i legjislacionit në fushën e mbrojtjes:

Në aspektin ligjor, në funksion të fuqizimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës, me iniciativë të Ministrisë së Mbrojtjes është bërë plotësim-ndryshimi i tri ligjeve bazë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovë:

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes

Nëpërmjet plotësim-ndryshimit të këtyre ligjeve konsiderohet se është bërë një hap i rëndësishëm për Ushtrinë e Republikës së Kosovës. Duke hequr kufizimin në numër për pjesëtarë aktivë dhe rezervë, si dhe duke shtyrë kriterin e moshës së lejuar për aplikimin e rekrutëve të rinj nga 23 në 25 vjeç, u është ofruar të rinjve e të rejave mundësi që të jenë pjesë e ushtrisë dhe shtetit tonë mundësinë e ngritjes së kapaciteteve ushtarake të nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e atdheut, por gjithashtu dhe ofrimit të kapaciteteve në ruajtjen e stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe është miratuar për herë të parë Ligji për Komisionerin Parlamentar, Policinë Ushtarake dhe në proces të miratimit në Qeveri është Projektligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri. Kështu krijohet baza e duhur ligjore për mbarëvajtjen e disiplinës së brendshme ushtarake, mbrojtjen e interesave të ushtrisë dhe trajtimin e duhur të informacioneve të jashtme, si një aset të rëndësishëm në kohën kur lufta hibride është kërcënimi më i madh i stabilitetit të çdo shteti, njofton Klankosova.tv.

Ndër shumë akte nënligjore janë miratuar edhe tre aktet që definojnë formën e financimit, mënyrën e përkujdesjes ndaj pjesëtarëve të FSK-së të cilët dërgohen për mision jashtë vendit, si dhe kujdesin ndaj familjarëve të tyre.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu ka qenë bartësi kryesor në hartimin e Strategjisë së Sigurisë që është miratuar, dhe tani në bazë të saj jemi në proces të hartimit të Strategjisë së Mbrojtjes në nivel ministrie.

Avancimet në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale:

Gjatë vitit 2022 krahas anës ligjore është punuar edhe në rritjen e numrit të ushtarëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.

Kështu që gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 850 ushtarë dhe kadetë ndërsa në proces rekrutimi janë edhe 612 ushtarë aktivë dhe 388 rezervë.

Sa i përket ngritjes së kapaciteteve profesionale, ushtarakët kosovarë ndjekin studimet në akademitë më prestigjioze të botës si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi dhe Maqedoni të Veriut.

Po ashtu në kuadër të ngritjes së kapaciteteve profesionale është investuar edhe në trajnimin e ushtarakëve jashtë vendit. Vetëm gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 2,547 ushtarakë, që është 3 herë më shumë se në vitin 2020, apo 16 herë më shumë se në vitin 2019.

Krahas ngritjes së kapaciteteve profesionale është investuar dhe në ngritjen e kapaciteteve operacionale përmes investimit në blerjen e pajisjeve ushtarake, që gjatë vitit 2022 buxheti i investuar në këtë drejtim tejkalon vitin 2021 me 84 përqind, vitin 2020 me 99 për qind, dhe vitin 2019 me 98 përqind.

Të gjitha këto blerje janë realizuar përmes marrëveshjeve shtet më shtet, duke kursyer kështu buxhetin, ruajtur kualitetin dhe shmangur manipulimet.

Përveç në pajisje gjithashtu është investuar edhe në projekte infrastrukturore, në zgjerimin e kazermave dhe krijimin e hapësirave për realizmin e ushtrimeve përmes shpronësimit të pronave brenda lokacionit të ish-aeroportit të Gjakovës, pastaj disa pronave në Babaj të Bogës, Shishman të Bogës, Popoc, Qerret dhe Devë të kësaj komune, në një hapësirë prej 450 hektarësh, e po ashtu edhe në Cernushë të Komunës së Mitrovicës.

Rritja e numrit të pjesëtareve gra dhe komuniteteve në FSK

Në fokusin e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë këtij viti ka qenë rritja e numrit të grave dhe komuniteteve në ushtri.

Përbërja e ushtrisë duhet të pasqyrojë përbërjen e popullsisë. 10.44 përqind sa është aktualisht përqindja e grave në ushtri konsiderohet si jo e mjaftueshme. Angazhimi i ministrisë në këtë drejtim konsiderohet si obligim, andaj kjo është arsyeja që në këtë fushatë rekrutuese që është hapur me datën 15 dhjetor për rekrutimin e ushtarëve aktivë dhe pjesëtarëve të komponentës rezervë të FSK-së – në fokus do të ketë këto dy grupe.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Çdo arritje e Ministrisë së Mbrojtjes llogaritet si rezultat i marrëdhënieve të mira bilaterale me shtetet partnere me të cilët Kosova ka bashkëpunim të ngushtë në secilën fushë ushtarake.

Në funksion të këtij bashkëpunimi gjatë këtij viti janë nënshkruar 17 marrëveshje ndërkombëtare, si dhe është bërë akreditimi i Atasheve të Mbrojtjes në ShBA, Britani të Madhe, Gjermani, Francë, Turqi, Kroaci dhe Shqipëri, njofton Klankosova.tv.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu është edhe në proces të akreditimit të atasheve jo-rezident në Slloveni, Kanada, Austri, Holandë, Belgjikë dhe Hungari.

Misionet ndërkombëtare:

Synimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, dhe ofrimi i kontributit të saj si shtet në sigurinë e rajonit dhe më gjerë përmes pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare.

Në këtë aspekt në vazhdimësi ushtarakët kosovarë janë duke marrë pjesë në ushtrime ndërkombëtare përkrah ushtrive të shteteve aleate.

Pas realizimit me sukses të misionit të parë në Kuvajt vitin e kaluar, gjatë këtij muaji ushtria jonë do të bashkëzbarkojë në Ishujt Falkland përkrah Ushtrisë së Armatosur Britanike, ndërsa po ashtu FSK-ja ka nisur përgatitjet për “Defender-Europe’23”, si nikoqir të këtij ushtrimi më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit, ku FSK do të marr pjesë me 1,350 ushtarë.

Anëtarësimi në NATO

Anëtarësimi në NATO për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk mbetet dëshirë por vizion për të cilin këto dy institucione janë duke punuar në vazhdimësi.

Ushtria jonë në shumë raste ka treguar se ka çdoherë e më tepër gatishmëri, përveçse me faktin që ushtarakët tanë në çdo trajnim dhe garë ndërkombëtare shfaqin profesionalizëm mbresëlënës duke u shpërblyer me vendet e para.

FSK-ja po ashtu ka kontribuar në operacione ndërkombëtare, sikur në rastin e afganëve duke asistuar në transportimin e tyre, dhe po ashtu tani me ndihmën për Ukrainën në transportimin e ndihmave humanitare, dhe në ofrimin e trajnimeve për ushtarakët ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit si dhe eliminimit të lëndëve të rrezikshme.

Ngritja e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, si dhe mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është arsyeja dhe tema e diskutimit në çdo takim dhe në vizitat e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, jashtë vendit.

Pjesëmarrja në forume ndërkombëtare

Konferencën Vjetore dhe Panairin e Sigurisë ‘’AUSA 2022’’ – ShBA

Forumin e Sigurisë ‘‘HALIFAX 2022’’ – Kanada

Konferencën Ndërkombëtare ‘’Siguria dhe Mbrojtja 2022’’ – Mbretëri e Bashkuar

Konferencën e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – Belgjikë

Konferencën Ndërkombëtare ‘’Ku do e orientoj kompasi strategjik Evropën?’’

Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qendrore në Fushën e Mbrojtjes – Austri

Konferencën e Kartës së Adriatikut – Mal të Zi

Realizimi i buxhetit dhe donacionet

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022 është realizuar deri në 85 përqind, nga buxheti i shpenzuar rreth 53 përqind janë shpenzuar për sisteme të armatimit dhe artikuj për mbrojtje.

Ndërsa Plani i Punës së Qeverisë për Ministrinë e Mbrojtjes është realizuar 95 përqind.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2022 ka pranuar edhe donacione nga shtetet partnere si: ShBA, Turqi, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji dhe Karitas Kosova.

Vlera e donacioneve të pranuar deri më tani është 6 milionë e 342 mijë e 308 euro. Prej tyre pasuri kapitale janë 6 milionë e 190 mijë e 373 euro ndërsa mallra dhe shërbime janë 151 milionë e 934 mijë e 75 euro.

Por, megjithatë si sfidë përgjatë vitit që po lëmë pas duhet llogaritur edhe inflacionin e përgjithshëm paspandemik që ka prekur jo vetëm Kosovë por edhe më gjerë që ka krijuar vështirësi në lidhjen e kontratave me operatorët ekonomik.

Futja e lëndës “Edukimi për Siguri” në shkolla

Gjatë vitit 2022 është miratuar draft-koncepti për lëndën “Edukimi për Siguri” që pritet të përfshihet në kurikulën shkollore që nga viti tjetër, e që përmes saj Ministria e Mbrojtjes synon të aftësojë rininë me shkathtësitë për mbrojtje, por gjithashtu t’i motivojnë që të bëhen pjesë e ushtrisë për t’i shërbyer atdheut.

Kosova si nikoqire e “Defender-Europe’23”

Me plotë gojë mund të vlerësohet si historike për Kosovën e FSK-në pjesëmarrja si nikoqire në “Defender-Europe’23” që njëhrit është edhe ushtrimi më i madh ushtarak në rajonin e Ballkanit.

FSK-ja ka nisur tash e sa muaj përgatitjet për këtë ushtrim në të cilin do të marrin pjesë 1,380 pjesëtarë.

Po ashtu në këtë stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësitë të tjera të specializuara që e mbështesin në stërvitje.

You may also like