1200 të vrarë në 3 ditë luftime. Izraeli rrethon Gazën dhe përgatitet për sulm tokësor – Shqip

by admin
Spread the love

Ushtria izraelite po pozicionon tanket në kufirin me Rripin e Gazës. Pritet nisja e një sulmi të madh nga toka në territoret palestineze jugperëndimore, për spastrimin e plotë të Gazës nga Hamasi dhe lirimin e më shumë se 100 pengjeve përfshirë edhe shtetas të huaj, të marrë nga ekstremistët.

Krerët e ushtrisë izraelite thanë se nën armë janë thirrur 300 mijë rezervistë, që kur kryeministri Netanjahu shpalli gjendjen e luftës, të shtunën pas sulmit të befasishëm të Hamasit.

Shkëmbimi i raketave ka vijuar me intensitet edhe në ditën 3 të përplasjes që e ka çuar numrin e viktimave nga të dyja palët në 1300 dhe në 5 mijë atë të të plagosurve. 800 prej viktimave janë izraelitë. Po kaq sipas autoriteteve është edhe numri i të zhdukurve, çka mund të thellojë bilancin tragjik të viktimave.

E teksa ushtria është në pritje të urdhrit për nisjen e ofensivës së madhe tokësore, trupat ushtarake kanë rimarrë kontrollin e të gjitha zonave, që u pushtuan për disa orë nga militantët ekstremistë palestinezë të Shtunën.

Qindra makineri ushtarake janë dërguar në kufirin verior me Libanin, nga frika e një tjetër fronti me Hezbollahun, grupim pro-iranian aleat me Hamasin, të cilit ekstremistët e Gazës i kanë kërkuar ndihmë.

Megjithatë, krerët e këtij grupimi hodhën poshtë zërat se kanë shpallur nisjes e luftës kundër Izraelit nga territori i Libanit.

Pranë brigjeve izraelite është afruar edhe aeroplanmbajtësja amerikane Xherald Ford në përmbushje të premtimit të presidentit Joe Biden për të mbështetur Izraelin.

Ndërsa presidenti iranian Ibrahim Raisi shprehu mbështetje të plotë për Hamasin, ndonëse theksoi se Irani nuk ka plane për t’u  përfshirë ushtarakisht në konflikt.

E teksa Gaza po shndërrohet në gërmadhë nga kundërpërgjigjja izraelite me raketa që nuk ka kursyer edhe kampet e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, ende që pa nisur sulmi tokësor, kambanat e luftës bien edhe në Jerusalemin e ndarë mes izraelitëve dhe arabëve, ku banorët po përgatiten për më të keqen./tvklan

You may also like