111.000 euro donacion nga Japonia për të ndihmuar Spitalet e Përgjithshme të Strugës dhe Ohrit në përmirësimin e kujdesit mjekësor në rajon

by admin
Spread the love

Me datë 6 dhjetor 2021, Ambasadori i Japonisë Sh.T. SAVADA Hironori nënshkroi grant Kontratën e tretë dhe të katërt të vitit 2021, në kuadër të Grant Programit për Projekte të Vogla për Siguri Njerëzore (GGP), qëllimi i të cilit është përmirësimi i nevojave themelore njerëzore në Maqedoninë e Veriut.

Ceremonitë e nënshkrimit të grant kontratave u hapën nga kryetarja e Këshillit të Komunës së Strugës, znj. Arbëresha Vlashi, dhe kryetari i Komunës së Ohrit, z. Kiril Pecakov, ku dhe Sh.T. Ambasadori i Japonisë, z. Hironori Savada ishte i pranishëm në të dyja ceremonitë përkatëse.

Ambasadori Savada nënshkroi dy kontrata, njërën me Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Strugës, Dr. Armend Arslani, në Strugë dhe tjetrën me Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Ohrit, Dr. Goran Balevski, në Ohër.

Projekti për përmirësimin e shërbimeve mjekësore përmes sigurimit të sistemit të ultrazërit për Spitalin e Përgjithshëm në Strugë, me vlerë prej 50.822 euro, ka për qëllim ngritjen e cilësisë së kujdesit mjekësor për gratë dhe përmirësimin e shëndetit të grave. Sistemi i ri i ultrazërit do të përparojë punën e repartit Gjinekologjik në spitalin e Strugës.

Projekti për përmirësimin e mjedisit mjekësor përmes blerjes së aparatit me rreze X për Spitalin e Përgjithshëm në Ohër, me vlerë prej 60.188 euro, ka për qëllim ngritjen e cilësisë së kujdesit mjekësor për pacientët në këtë rajon. Sistemi i ri i rrezeve X do të përparojë punën e repartit të Kirurgjisë në spital.

Deri më tani, Japonia ka dhuruar gjashtë grante në këto dy komuna në kuadër të programit GGP. Me këto dy projektet e reja të vitit 2021, ndihma e përgjithshme për Strugën dhe Ohrin do të arrijë shumën mbi gjysmë milioni euro.

Në kuadër të GGP, Japonia ka finansuar projekte për rinovim dhe furnizim të pajisjeve në më shumë se 70 shkolla dhe kopshte të fëmijëve, 57 institucione shëndetësore dhe ka siguruar 31 automjete për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e mbeturinave në 49 komuna.

Në përgjithësi, Japonia ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm si zhvillimi i infrastrukturës, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, arsimi, mjedisi jetësorë, kultura, fatkeqësitë natyrore, kriza e refugjatëve dhe ndihmat urgjente, në një shumë totale prej mbi 422.3 milionë euro si dhe ndihma të tjera jo-financiare.

You may also like