“Zotëria 40 golësh”, asnjë si Halandi edhe në Europë. Lë pas edhe Mbapenë, Mesin dhe Levandovskin

by admin
Spread the love

Erling Haland vazh don të shënojë gola me një ritëm të jashtëzakonshëm. Sulmuesi norvegjez shënoi golin e parë të përmbysjes ndaj Lajpcigut nga 0-2, në 2-3 të martën në “Etihad”, duke festuar golin e tij të 40-të në Champions. I janë dashur vetëm 35 ndeshje për të arritur këtë shifër, 10 më pak se mbajtësi i mëparshëm i rekordit, Rud van Nistelroi, të cilit iu deshën 45 paraqitje, për të arritur shifrën e 40 golave.

Kilië Mbape është lojtari i tretë që i ka shënuar më shpejt 40 golat në këtë kompeticion, duke iu dashur vetëm 59 ndeshje. Ndërsa dy prej golashënuesve më të mirë të epokës moderne, Lionel Mesit dhe Robert Levandovskit, iu nevojitën 61 ndeshje secili. Të martën ishte hera e 12-të që Halandi shënoi kundër Lajpcigut, të paktën pesë më shumë se sa i ka shënuar kundër çdo kundërshtari tjetër me të cilin është përballur ndonjëherë. 17 nga golat e tij në Ligën e Kampioneve 23-vjeçari i ka shënuar për Sitin, pas 15 golave për Borusian e Dortmundit dhe 8 gola për Salcburgun.

Ky rekord vjen pak ditë pasi norvegjezi theu rekordin e 50 golave më të shpejtë në Premier Ligë, duke iu dashur 17 ndeshje më pak se Endi Kolit. Pesë golat e Halandit e vendosën atë të parin në garën për “Këpucën e Artë”, së bashku me Alvaro Moratën e Atletikos dhe Rasmus Hojlundin Mançester Junajtidit. Julian Alvarez është vetëm një gol prapa tyre. Siti bëri përmbysjen e parë në historinë e klubit të një disavantazhi me dy gola në Champions, ndërsa i kishte humbur të gjashta ndeshjet e mëparshme kur ka qenë duke humbur me një disavantazh të tillë.

Kampionët e Europës u kualifikuan në fazën e 1/8-ave për herë të 11-të radhazi, ndërsa në 7 sezonet e fundit, e kanë mbyllur gjithnjë në vendin e parë fazën e grupeve. Rekordi i Sitit pa humbje në kompeticionet europiane shkoi në 19 ndeshje (Champions dhe Superkupën e Europës). “Qytetarët” kanë shënuar deri tani, 15 gola në kompeticion, më shumë se çdo klub tjetër bashkë me Atletikon e Madridit të Diego Simeones. Edhe zotërimi i topit të tyre është 69% mesatarisht për ndeshje, më i miri në kompeticion, 5% më shumë sesa PSGja e vendit të dytë.

AA

Përgatiti: ANDROKLI DRALO- PANORAMASPORT.AL

You may also like