Zelenskiy: Forcat ruse ‘rrafshuan’ rajonin e Donbasit

by admin
Spread the love

Presidenti ukrainas, Vladimir Zelenskiy akuzoi Rusinë se e ka kthyer në ferr rajonin e Donbasit në lindje të vendit të tij.

Në fjalimin e tij duke iu drejtuar popullit, Vladimir Zelenskiy tha se forcat ruse ‘rrafshuan’ rajonin e Donbasit dhe shtoi: “Ka sulme të vazhdueshme në rajonin e Odesas, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi është shkatërruar plotësisht”.

Lideri ukrainas tha: “Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë operacionet e tyre për çlirimin e rajonit të Harkovit. Megjithatë, pushtuesit në Donbas po përpiqen të rrisin presionin. Është bërë ferr dhe ky nuk është ekzagjerim. Bombardimi brutal i Severodonetskut, në vetëm një ditë shkaktoi 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.”

“E gjithë kjo nuk ka asnjë shpjegim ushtarak për Rusinë dhe nuk mund të jetë”, tha Zelenskiy, duke shtuar: “Kjo është një përpjekje e qëllimshme dhe vrastare për të vrarë sa më shumë ukrainas të jetë e mundur. Kjo është ajo që do të cilësohej si gjenocid kundër popullit ukrainas dhe se pushtuesit me patjetër do të sillen para drejtësisë.”

Duke shprehur mirënjohjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miratimin e një pakete të re mbështetjeje prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe demokracinë, udhëheqësi ukrainas tha: “Deficiti mujor buxhetor në Ukrainë tani është 5 miliardë dollarë dhe ne kemi nevojë për mbështetje financiare të shpejtë dhe të përshtatshme për luftën për liri.  Këto nuk janë vetëm shpenzime apo dhuratë nga partnerët. Këto janë kontributi i tyre për sigurinë e tyre. Sepse mbrojtja e Ukrainës nënkupton gjithashtu mbrojtjen e saj nga luftërat dhe krizat e reja që mund të provokojë Rusia. Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që Rusia të mos ia dalë mbanë në agresionin ndaj shtetit tonë”.

You may also like