Ylli Manjani tregon pse pushuesi që hoqi flamurin turk nuk mund të ndiqet penalisht

by admin
Spread the love

Ish-ministri i Drejtësisë, juristi Ylli Manjani shprehet se plazhisti që u arrestua nga policia pasi hoqi flamurin turk nga një pikë vrojtimi në plazhin e Gjirit të Lalzit nuk mund të ndiqet penalisht.

Manjani thotë se flamuri nuk ishte vendosur në mënyrë protokollare, nuk ndodhej as në territorin turk, as në anije turke apo në ambasadën turke.

Sipas Manjanit ai gjithashtu s’mund të akuzohet për nxitje të urrejtjes, pasi policia nuk ka se si të masë urrejtjen e nxitur prej gjestit të tij, në fakt është e kundërta, vendosja e flamurit ka shkaktuar nxitje të urrejtjes, çka provokoi edhe veprimin.

Shkrimi i plotë i Manjanit:

“E pabesueshme!

Policia shoqëron dhe kërkon fillim të ndjekjes penale për dikë, i cili në mes të plazhit hoqi një flamur turk nga kulla e vrojtuesit të plazhit!?

E akuzojnë se me këtë gjest nxiti urretje dhe grindje. Madje edhe prishës i rendit publik…

Seriozisht?!

Uau!

E kam sqaruar edhe për parë këtë çështjen e flamujve të huaj, që kur nuk vendosen në mënyrë protokollare, janë thjesht leckë pa asnjë vlerë.

Edhe në këtë rast flamuri i një shteti të huaj i vendosur në koliben e rojes së plazhit, në një hapësirë publike shqiptare është jo protokollar.

Tani të ndjekim pak llogjikën idiote të policisë. Mirë ky që e hoqi flamurin paska nxitur urrejtje, të cilën nuk dihet se si e mati policia, po ata që e vunë atë flamur nuk nxitën ndasi e urrejtje?!

Pse të vësh një leckë si flamur në një vend që s’duhet vënë quhet rregull dhe heqja e tij quhet krim?!

Ajo kolibe nuk ishte as ambasada turke, as në territorin Turk,as në anije turke e as pjesë e ndonjë protokolli shtetëror pritje. Atëherë pse një shqiptar spaska të drejtë të heqë flamurin e këtij shteti nga një vend publik shqiptar, të vendosur pa asnjë protokoll?!

Pastaj cili shqiptar u grind me kë për shkak të heqjes së flamurit turk nga ai vend?!

Pse do zihen shqiptarët se u hoq flamuri turk?! Po të kishte hequr flamurin shqiptar, ndoshta…

Rendi e qetësia publike përse u prish nga heqja e asaj lecke?! Pse vënia e saj e paska qetësuar rendin publik?!

Qartësisht vendosja e flamurit paska nxitur urrejtje dhe ka prishur qetësinë e njerëzve. Heqja ishte thjesht reagimi.

Tani, kush po nxit urretje se spo marrim vesh, shqiptari që ndoshta i ndjerë i fyer, bëri atë gjest apo policia që nuk mbron flamurin e territorin shqiptar por atë Turk?!

Ç’janë këto pislliqe mor aman se na hapën barkun!

Shkoni more kapni kriminelët e trafikantët që na nxorën bojën në gjithë botën.

Lerini flamujt e shteteve tjera se i mbrojnë vetë ata.

Bah, ç’ma nxitën urretjen megjithmend!” tha ai.

You may also like