Vuçiç, grindje me gazetarin kroat për Sheshelin – Shqip

by admin
Spread the love

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, nuk ka reaguar shumë mirë ndaj pyetjes së një gazetari kroat për një medalje akorduar nga Kisha Ortodokse Serbe për kriminelin e luftës Vojisllav Sheshel.

Pas takimit në kuadër të samitit “Brdo-Brioni” në Slloveni, Vuçiç u grind me gazetarin, i cili e pyeti nëse marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë do të ndikoheshin nga fakti i një zhvillimi të tillë. Dihet se Sheshel, luftën e tij më së shumti e ka drejtuar kundër Kroacisë.

“Nga kush është nderuar? Nga një dioqezë. Epo, çdo ditë ju nderoni ata që vranë serbët, bëni filma për ta dhe nuk jeni aspak të ndjeshëm ndaj kësaj”, tha Vuçiç, duke pretenduar padrejtësi apo persekucion kroat ndaj serbëve.

Deklaratës së gazetarit se Sheshel është kriminel i dënuar lufte, Vuçiç iu përgjigj:

“Nuk jam as prift, as peshkop, as patriark, as ndonjë gjë tjetër dhe as që e mendoj të jem i tillë. Dhe tek ne kisha është shumë e pavarur në raport me shtetin. Ne jemi shumë krenarë për laicitetin e vendit tonë”, tha ai.

Me këmbënguljen e gazetarit që ai ende të shprehë mendimin e tij, Vuçiç tha se po bënte pikërisht këtë.

 “Nuk di çfarë t’ju ​​them… Kaq kam për të thënë. Secili prej tyre ka të drejtë si njerëz të lirë të marrë vendime dhe shteti nuk është i përfshirë në këtë”, tha Vuçiç. /tesheshi.com/

You may also like