Vllaznia vetëm barazim ndaj Kukësit

by admin
Spread the love

Vllaznia dhe Kukësi ndajnë nga një pikë në “Loro Boriçi”, pasi nuk shkuan dot përtej barazimit 1-1 në një 90-minutësh spektakolar dhe me raste të shumta shënimi, sidomos për kuqeblutë.

Liridon Latifi zhbllokoi sfidën që në minutën e 8’, ndërsa më pas shkodranët patën disa mundësi për të gjetur golin e dytë, por shpërdoruan dhe në një moment u ndalën edhe nga shtylla.

Nga ana tjetër, ndryshe nga sa na ka mësuar, Kukësi u pa më pasiv dhe provonte vazhdimisht me kundërsulme, teksa në dy momente kërcënoi portën e Qarrit, që u tregua i gatshëm të reagojë ashtu si duhet.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 68’ me anë të sulmuesit moldav Puntus, ndërsa më pas ishin sërish shkodranët që u hodhën në sulm, por pa ia dalë të gjejnë golin e fitores, ndonëse patën disa mundësi.

Vërshëllima finale e arbitrit Enea Jorgji la në fuqi barazimin 1-1, që mban Kukësin në vend të dytë me 28 pikë, ndërsa shkodranët zbresin në vendin e katërt me 25 pikë, dy më pak se Laçi.


Top Channel

You may also like