VJENË – OSBE: Rusia ka gjasa të ketë kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë

by admin
Spread the love

VJENË, 13 prill /ATSH-DPA/ Trupat ruse ka gjasa të kenë kryer krime kundër njerëzimit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, sipas një komisioni të pavarur hetimor.

Raporti i kryer nga tre avokatë nga Austria, Zvicra dhe Republika Çeke dhe urdhëruar nga 45 shtetet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u publikua sot në Vjenë.

“Vrasja e synuar, zhdukja me forcë ose rrëmbimi i civilëve, duke përfshirë gazetarë dhe zyrtarë lokalë, supozohet të kenë qenë pjesë e aktivitetit ushtarak rus”, thanë ata në raport.

“Çdo akt i dhunshëm i këtij lloji, i kryer si pjesë e një sulmi dhe me dijeni, do të përbënte një krim kundër njerëzimit”, thanë ata.

Sipas raportit, njësitë ruse kanë shkelur qartë detyrat e tyre për të mbrojtur civilët. Përndryshe, shifrat e viktimave do të ishin shumë më të ulëta dhe do të ishin shkatërruar shumë më pak shtëpi, spitale dhe shkolla.

Pas provave në rritje të krimeve të luftës, Këshilli Evropian deklaroi se zyrtarët e BE-së do të ndihmojnë Ukrainën për të hetuar dhe ndjekur penalisht mizoritë e kryera nga trupat ruse.

Misioni Këshillimor i Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUAM Ukraine) do t’u sigurojë hetuesve trajnime dhe këshilla strategjike për t’i vendosur personat e përfshirë në krime përpara përgjegjësisë dhe do të ndihmojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së në kryerjen e hetimit të tyre.

Rusia ka mohuar vazhdimisht pretendimet për mizori, duke iu referuar disa prej provave si të rreme dhe të inskenuara. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like