Visar Ganiu i përgjigjet BDI-së: Krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër!

by admin
Spread the love

Lidhur me deklaratën e BDI-së për shqetësimet e tyre për keqpërdorimet e pretenduara rreth furnizimeve publike, ka reaguar kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili ka thënë se kompania e apostrofuar nga Qeveria në vitin aktual ka marrë tenderë në vlerë prej 6.5 milionë euro.

“Njejtë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e njëjta kompani ka marrë tender në vlerë prej gati 2 milionë euro, ndërsa nga Ministria e Mjedisit mbi 1 milionë euro, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej mbi 8 milionë euro, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 2 milionë euro, në total rreth 20 milionë euro. Ne si Komunë e Çairit, në mënyrë më transparente i ftojmë të gjitha institucionet relevante që ta hetojnë këtë rast, ku do të konfirmohet se mjetet në Komunën e Çairit janë ndarë me dedikim nga Qeveria e RMV-së, e cila siç mund të konstatohet rregullisht ka lidhur kontrata me kompaninë e sipërpërmendur. Në këtë frymë, ne insistojmë që hulumtimi nga institucionet kompetente të vazhdojë edhe në të gjitha institucionet tjera të menaxhuara nga BDI, veçanërisht në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, e cila menaxhohet nga Artan Grubi, si dhe në Lotarinë Shtetërore të RMV-së, e cila menaxhohet nga krahu i djathtë i Artan Grubit”, thuhet në reagimin e Visar Ganiut.

Ai ka thënë se ky nivel i panikut dëshmon vetëm një gjë, se BDI do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme.

 “Të gjithë personat e përfshirë në biznesin e pistë të kazinove dhe marrëveshjet e tjera skandaloze që u zbardhën nga mediat në periudhën e kaluar, do të përgjigjen para institucioneve të drejtësisë. Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Ganiu.

MARKETING



You may also like